Mauro Icardi dhe PSG mund të vijojnë bashkëpunimin dhe Wanda Nara e la të kuptohet diçka e tillë një ditë më parë. Sulmuesi shënoi 20 gola me francezët deri në momentin që kampionati u mbyll dhe Leonardo nxitoi të shfaqte interesin e tij për të gjetur marrëveshjen për transferimin e argjentinasit.
Për shkak të krizës financiare që pandemia e COVID-19 ka shkaktuar, te PSG e bënë të qartë se nuk do të paguajnë 70 milion euro, sipas klauzolës së kontratës së bërë një vit më parë. Gjithsesi nuk hoqën dorë dhe Interi u refuzoi ofertën e parë, 50 milion euro plus 10 bonuse.
ESPN tashmë raporton se akordi është arritur për 55 milion, plus pesë milion të tjera bonuse. Sa i takon kontratës së Icardi, ajo do të jetë e vlefshme deri në verën e vitit 2024 dhe do të përfitojë 10 milion euro në sezon, po aq sa Edinson Cavani, i cili del lojtar i lirë dhe do të ndryshojë skuadër. /abcnews.al