Rritja dhe fuqizimi i partive ekstremiste është pasojë e zhgënjimit të qytetarëve nga elitat ekonomiko-politike, që kanë monopolizuar pasurinë dhe varfëruar klasën punëtore. I këtij mendimi është akademiku i njohur amerikan Noam Çomski, i cili thotë se emigrantët janë “dashi për kurban” i të pasurve për të fshehur mashtrimet e tyre.
Punëtorët në Europë e jo vetëm po rebelohen ndaj elitave që i kanë mashtruar për dekada me radhë dhe po votojnë forca radikale që me populizmin nuk kanë lidhje. I këtij mendimi është akademiku i njohur amerikan Noam Çomski, gjuhëtar, filozof dhe teoricien i shkencave të komunikimit.
“Ka patur një rritje ekonomike dhe një rritje të prodhimit, por pasuria e gjeneruar ka përfunduar në xhepat e pak personave dhe në duart e institucioneve të pangopura financiare që kanë dëmtuar ekonominë”, thotë profesor Çomski në një intervistë për gazetën italiane “Il Manifesto”.
Duke komentuar situatën në Shtetet e Bashkuara, Çomski thotë se në vitin 2009 amerikanët votuan Obamën duke besuar në mesazhet e tij shpresëdhënëse. Por kur mbetën të zhgënjyer ata i hodhën sytë diku tjetër.
“Kjo i hap rrugë demagogëve si Donald Trump, që hiqet sikur është zëri i punëtorëve, ndërkohë që i dobëson ata çdo ditë e më shumë me politikat andi-sindikaliste të administratës së tij”, shprehet Çomski.
Për akademikun e njohur, në Europë situata është pak më e rëndë.
“Vendimmarrja për çështje të rëndësishme ka kaluar në duart e Trojkës, një organizëm që nuk zgjidhet nga populli”, vijon Çomski, i cili akuzon edhe partitë politike se kanë braktisur interesat e klasës punëtore.
Dhe kjo, sipas tij ka sjellë irritim të qytetarëve, zhgënjim, frikë dhe natyrisht atë që mund të quhet “dashi për kurban”.
“Sepse shkaqet reale të dështimit mbahen të fshehura në errësirë dhe faji duhet të jetë i të varfërve, i minoriteteve etnike, ose i emigrantëve. Dhe në këto kushte njerëzit kapen pas asaj që iu pasqyrohet”, nënvizon profesor Çomski.
Ai shton se kalimi nga politika tradicionale tek ajo ekstremiste nuk ka lidhje me populizmin, të cilin e cilëson një fenomen me një histori komplekse dhe në disa raste të respektuar./abcnews.al