Akademia e profesionistëve të rinj/ Në shkollën “Petro Sota” përgatiten nxënës për zanatet që kërkon tregu

schedule20:43 - 2 Nëntor, 2024

schedule 20:43 - 2 Nëntor, 2024

Fletorja dhe lapsi nuk janë mjetet më të përdorura mësimore për nxënësit e shkollës së mesme profesionale “Petro Sota” në Fier. Si nxënës të arsimit profesional, ata mësojnë duke krijuar dhe në vend të shënimeve në bllok, përveshin mëngët dhe i futen punës.

Me gjashtë degë të shumëkërkuara në tregun e punës, “Petro Sota” ka 680 nxënës.

680 profesionistë për 6 profesione pritet të plotësojnë mungesat në tregun e punës gjatë tre viteve të ardhshme.

Një punë që siguron të ardhura të kënaqshme, por mbi të gjitha një e ardhme e sigurt për të rinjtë. Këta të fundit zgjodhën arsimin profesional të shtyrë nga prindërit dhe nuk janë penduar.

Fieri si qytet industrial, me teknologjinë naftënxjerrëse ka mungesa edhe për specialistë të naftës, armata e dikurshme e të cilëve po shteron për shkak të moshës dhe largimit jashtë vendit.

Prej disa vitesh te “Petro Sota” po përgatiten teknikë të këtij sektori të cilët punësohen menjëherë pas përfundimit të shkollës, por gjithashtu kanë shanse shumë të mira për të vazhduar inxhinerinë e naftës në universitet.

Shkolla industriale sikurse njihet në Fier, ka më shumë se 50 vjet histori. Prej saj kanë dalë qindra profesionistë të cilët spikatën në fusha të ndryshme për gjysmë shekulli ndërsa vitet e fundit prej bankave të kësaj shkolle po përgatitet një  armatë e tërë specialistësh./abcnews.al