Vetëm në muajin qershor do të mësohet sesa do të jenë të ardhurat nga “Air Albania Stadium”. Drejtuesit e stadiumit janë në fazën e llogaritjeve, ndërsa presidenti i Federatës, Duka, deklaron se do të fitohen 2.4 milionë euro në vit.
Ende janë në fazën e llogaritjeve, padyshim edhe të punimeve.“ Air Albania Stadium” vërtetë ka përfunduar dhe mund të presë ndeshje, por në kompaninë që e menaxhon nuk mund të thonë me siguri sesa do të jenë të ardhurat vjetore.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, parashikon deri në 2.4 milionë euro në 12 muaj, sipas një interviste të dhënë për revistën “Monitor”, veçse drejtori i stadiumit, Minxhozi, informon për Abc Neës se kjo gjë do të mësohet përfundimisht në qershor.
Vetëm atëherë do të ketë përfunduar procesi i shitjes së lozhave VIP, do të jetë përcaktuar kalendari vjetor i aktiviteteve dhe do të jenë mbyllur llogaritjet e kompanisë. Gjithsesi, dihen se cilat do të jenë të ardhurat kryesore.
Së pari, shitja e emrit ka siguruar 650 000 euro në vit, për një periudhë 5-vjeçare, të paktën sipas asaj që është pohuar nga Federata. Nga shitja e lozhave VIP, apo skajbokseve siç u pëlqen t’i quajnë në Federatë, pritet të fitohen 250 000 euro në vit.
Qiraja e tyre vjetore shkon nga 20 deri në 25 000 euro, në varësi nga pozicioni dhe sipërfaqja. Duka deklaroi se të ardhurat nga biletat dhe nga qiratë e ndeshjeve duhet të arrijnë në 1.5 milionë euro.
Vetëm në ndeshjen me Francën, besohet se u mblodhën rreth 40 milionë lekë të rinj për rreth 22 000 bileta. Në derbin Partizani-Tirana pati 19 000 tifozë dhe një shumë të fituar nga të kuqtë prej 20 milionë lekësh, një pjesë e së cilës ishte qira për stadiumin.
Ndeshja e fundit në Arenë, ajo Kukësi-Partizani, solli mbi 4 000 spektatorë, dhe ndonëse nuk dihen saktësisht të ardhurat, mësohet se stadiumi ka marrë 25 për qind të shumës. /abcnews.al

