Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se situata është nën kontroll, pas përmbytjeve të rrugëve nëpër lagjet e Prishtinës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të dielën.
Ahmeti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve të kryeqytetit kanë dalë në terren për t’i riparuar problemet e shkaktuara nga shiu.
“Pas reshjeve të mëdha që kanë përfshirë të gjithë rajonin, ekipet emergjente të Komunës së Prishtinës së bashku me gjashtë Kompani të mirëmbajtjes kanë dalë në terren dhe janë duke punuar në sajimin e dëmeve eventuale si dhe në mbështetje të qytetarëve”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.
Postimi i plotë i Shpend Ahmetit:
Të dashur qytetarë,
Pas reshjeve të mëdha që kanë përfshirë të gjithë rajonin, ekipet emergjente të Komunës së Prishtinës së bashku me gjashtë Kompani të mirëmbajtjes kanë dalë në terren dhe janë duke punuar në sajimin e dëmeve eventuale si dhe në mbështetje të qytetarëve.
Sipas informatave që kemi nga terreni, në disa zona e lagje të qytetit ka vërshime në rrugë. Drejtoria e Shërbimeve Publike është kontaktuar edhe nga Forca e Sigurisë së Kosovës e cila është në gjendje gatishmërie për të mbështetur Komunën në rast nevoje.
Tani për tani situata është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.