Ahmeti: Anëtarësimi në KiE forcon shtyllat vitale të demokracisë në Kosovë

schedule13:46 - 13 Qershor, 2023

schedule 13:46 - 13 Qershor, 2023

Kosova ka avancuar në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, u tha në takimin e përbashkët të grupit punues në mes të përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve nga Këshilli i Evropës.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, tha se Kosova është përmirësuar për njëzet vende në dy vitet e fundit në indeksin e Transparency International.

Ai shtoi se kalimi i fazës së parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës është një moment i rëndësishëm për Kosovën.

Ndërsa,drejtori për Koordinim të Programeve të Këshillit të Evropës, Claus Neukrich, tha se në bazë të raporteve të monitorimit është parë një avancim sa i përket kornizës ligjore të Kosovës, sidomos me përfshirjen e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës.

Ai shtoi se pret një shkëmbim të frytshëm dhe të mirë për aktivitetet e përbashkëta mes KiE-së dhe Kosovës.

Kosova ka kaluar fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin Evropian në muajin prill të këtij viti. Procesi tani ka kaluar në Asamblenë Parlamentare, ku pritet të caktohen disa raportues për hartimin e raportit për përshtatshmërinë e Kushtetutshmërisë së Kosovës me Konventat e Këshillit të Evropës, pastaj i njëjti do të dërgohet në  Asamblenë Parlamentare për shqyrtim.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!