Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë fjalës në seancën plenare në Kuvend deklaroi se ulja e taksës për biznesin e vogël është një premtim i mbajtur.
Ahmetaj bëri edhe një bilanc për ekonominë dhe shifrat nga fondi i pagave që sipas tij është rritur me 56%, Ahmetaj tha se mandati i tretë është i natyrshëm për të majtën.
“Ulja e taksës për biznesin e vogël, premtim i mbajtur. 130 milionë dollarë i janë kursyer familjeve. 106 % rritje. 151 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Si u zgjeroja punësimi në një sektor apo ekonomi kur ekonomia bie?! Si shkon punësimi nga 439 mijë në gati 720 mijë? Pyetje retorike për komedianin! Shyqyr që shpëtoi Devolli dhe Kapshtica nga boloria e borieve. Keni dëgjuar këtu bolorinë e oligarkisë.
Nën mazhorancën totalisht të majtë, biznesi i madh ka paguar 395 milion dollarë. Çdo qytetar, me shkollë, pa shkollë, i majtë i djathtë, më thoni; cila është mazhoranca që anon për qytetarin e zakonshëm. Lë ta kundërshtojë njeri me meme. Doni fondin e pagave? ! Kjo ishte një nga arsyet për të rrëzuar buxhetin. Fondi i pagave, mjekët dhe infermierët, u vlerësuan për betejën përballë COVID, apo dhe mësuesit. Kemi pasur një flamur, që do ta mbajmë dhe për mandatin e tretë, progresivitetin.
Nëse do të ishit në regjimin e para 2013-ës, për të djathtën ekstreme që punon vetëm për 1 % të shqiptarëve, do kishit paguar 1 mld dollarë më shumë vetëm për taksën e sheshtë. Po i bëj komedianit disa pyetje; nëse në 100 mln dollarë grante janë shpërndarë 74 mln dollarë, sa për qind janë këto?! 2.6% janë?! Sa për qind të shkollave janë këto?! Janë mbi 1 mijë shtëpi që përfundojnë në dhjetor, sa janë këto 2.6? Duhet t’i ktheheni tabelës së shumëzimit”, përfundoi Ahmetaj.
Ahmetaj gjatë fjalës së tij reagoi me kritika për nënkryetarin e PD-së, Edmond Spaho.
“Boloria politike pretendon se biznesi i vogël është tkurrur, por sot janë gati 100 mijë biznese, 3 herë më shumë se në 2013. Pra, pyetja është a ka ndonjë vend ku ekonomia bie dhe biznesi i vogël rritet? Pyetja është retorike, le t’i japë përgjigje komediani Edmond Spaho, që nuk linte kusur me doganierët e Kapshticës.
Nuk la pa vjedhur asnjë hajdut doganier të Kapshticës në 2009-13, që historia tregohet në Devoll, që kur shkonte Mond Spaho atje, llahtarisej i madh dhe i vogël dhe të gjithë familjet e doganierëve largoheshin në Greqi se do u mblidhte paratë. Shyqyr që shpëtoi Devolli dhe Kapshtica nga boloria e tij e përjavshme”. Në fund edhe një këshillë për opozitën jashtë parlamentit. “Ju të gjithë duhet të ktheheni te tabela e shumëzimit”, tha ai.
/abcnews.al/