Nga Ardit Rada
Arratia e Arben Ahmetajt është sot një nga simbolet më të qarta të krizës morale që prodhon korrupsioni në politikën shqiptare. Një ish-zëvendëskryeministër, dikur një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës, sot nuk përballet me drejtësinë, por zgjedh të flasë nga larg, duke u fshehur pas statuseve në rrjetet sociale dhe mbështetjes politike e mediatike të atyre që deri dje i kishte kundërshtarë.
Fakti më i thjeshtë për ta dalluar akuzën ndaj tij në raport me të tjerët, është apartamenti i sekuestruar me vlerë rreth 300 milionë lekë, e nxjerrë tashmë në ankand nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Mjafton ky simbol i pasurisë së pajustifikuar që Ahmetaj është përpjekur ta fshehë pas ish-grash e shoqe ishësh, për të kuptuar se për çfarë niveli abuzimi me pushtetin bëhet fjalë. Kur pasuritë luksoze të një ish-zv.Kryeministri përfundojnë në ankand shtetëror, nuk kemi më të bëjmë me një debat politik, por me një histori që kërkon përgjigje serioze para drejtësisë dhe mesa duket këtu është ‘keqkuptuar’ Ahmetaj me deklaratat e fundit të Ramës. Më saktë, dielli nuk mbulohet me shoshë në rastin e tij.
Vetë Rama, dy ditë më parë, e përshkroi situatën pa shumë diplomaci: “Ka një dosje plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, gjëra që na krijuan bindje që kërkesa e prokurorit ishte e përligjur. Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto.” Kjo deklaratë nuk është thjesht një distancim politik. Është pranim se një nga figurat më të fuqishme të qeverisjes socialiste u përfshi në një histori që e bën të pamundur çdo mbrojtje politike.
Por në politikën paradokset janë të zakonshme. Ndërkohë që Ahmetaj ankohet se ish-partia e tij nuk e mbron, mbrojtja i vjen nga kampi tjetër. Gazment Bardhi nga Partia Demokratike deklaroi fill pas Ramës se: “Çështja e Arben Ahmetajt është sa 1 e 200 e provave që kanë ardhur për Ballukun. Atje kishte indicie, këtu ka prova, atje kishte të dhëna dhe dyshime, këtu ka prova që provojnë kryerjen 11 herë të veprës penale.” Pra, rasti i Ahmetajt përdoret si armë politike për të goditur një tjetër kundërshtar. Ndërsa akuzuesi nuk fakton dot as 1/200 e atyre që thotë. As një tullë te vetme të 300 apartamenteve që SHQUP-i i ka ngarkuar Ballukut dhe SPAK fërkon duart dhe hesht.
Kjo është ironia e madhe e kësaj historie: një ish-zv.Kryeministër i Partisë Socialiste, i arratisur nga drejtësia shqiptare, gjen sot mbështetje politike dhe mediatike në kampin e Sali Berishës. Dhe pikërisht për këtë arsye ankesa e Ahmetajt ndaj Ramës tingëllon më shumë si hipokrizi sesa si parim.
Në reagimin e tij, Ahmetaj përpiqet ta kthejë çështjen në një debat juridik për prezumimin e pafajësisë. Ai shkruan se deklarata e kryeministrit për “1001 të zeza” shkel këtë parim dhe se çështja ende nuk ka filluar të gjykohet. Në teori, ai ka të drejtë: prezumimi i pafajësisë është një parim themelor i shtetit të së drejtës.
Por ka një problem të madh me këtë argument: prezumimi i pafajësisë nuk është një strehë për arratinë. Ai vlen për ata që përballen me drejtësinë, jo për ata që i shmangen asaj. Sepse kush nuk beson apo i trembet ligjit s’ka si të ngrejë pretendime mbi hetimin dhe gjykimin.
Një politikan që beson te pafajësia e tij nuk ikën nga vendi dhe nuk fshihet nga drejtësia. Ai paraqitet në gjykatë dhe e provon atë. Arratia është zgjedhje, jo parim juridik.
Ahmetaj gjithashtu duket i habitur që Partia Socialiste nuk e merr në mbrojtje. Por kjo është një habi e shtirur. Ai nuk ishte një figurë e zakonshme politike; ai ishte një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës. Kur një njeri i tillë përfundon në një histori korrupsioni dhe largohet nga vendi për t’i shpëtuar drejtësisë, nuk kemi thjesht një konflikt politik. Kemi një tradhti të hapur ndaj besimit politik që e ngriti në majat e pushtetit.
Prandaj Ahmetaj nuk ka pse të çuditet, aq më tepër që ka zgjedhur tashmë kampin e PD si strehë, ku mesa duket ndihet më rehat. Edhe pse po e përdorin historinë e tij si serial në median e financuar nga Sali Berisha.


