Julian Ahmataj, trajneri i Skënderbeut, para ndeshjes me Teutën ka dalë para mediave dhe ka folur për shumë çështje. “Është një ndeshje tjetër dhe nuk është më Tirana, është ndeshja e Teutës e cila është një skuadër shumë e fortë që do impenjimin maksimal”, u shpreh fillimisht Ahmataj.
Në lidhje me ata që do të luajnë nga fillimi, tekniku shtoi: “Formacioni bëhet në bazë të asaj që japin në stërvitje. Nga ndeshja në ndeshej nuk kemi luhatje në mes të sfidës. Vijnë në fund ose kur kemi mungesë përqendrimi, ose nga mungesa e eksperiencës. Do përmirësohemi të mos pësojmë më gola të tillë”.
Fokusi kaloi më pas te ndeshja e radhës dhe trajneri i Skënderbeut shprehet: “Teuta ka një skuadër të mirë, cilësore dhe që duhet vlerësuar maksimalisht, sepse ka pretendime madhore në këtë edicion. Impenjimi i futbollistëve duhet të jetë në maksimum për të arritur objektivin.
Besoj që kemi forca për të përballuar ndeshjen dhe për të marrë maksimumin në një ndeshje. Duhet sakrificë në fushë, futbolli në vetvete është sakrificë. Ajo që duhet theksuar është se ne kemi zhvilluar lojë dhe kemi pasur raste shënimi”.
A është Skënderbeu aty ku Ahmataj do? Tekniku deklaron: “Nuk është arritur ajo që unë kam në mendje. Kemi punuar gjatë periudhës së verës në një sistem tjetër dhe më pas kemi ndryshuar sistemin në varësi për shkak të disa problemeve që erdhën dhe dëmtimeve që na ndodhën në skuadër. Dhe për t’u përshtatur në sistemin e ri duhet kohë, nuk kemi bërë siç duhet manovrën sulmuese. Ajo është më e vështira, por edhe manovra mbrojtëse ka ceduar. Duhet të jemi më agresivë në zonat e kuqe dhe të shërbimit”.
Skënderbeu ka pasur probleme në finalizim këtë periudhë, por Ahmataj nuk e hedh poshtë sulmuesin Mensah: “Ne kemi qendërsulmues të mirëfilltë, pasi Mensah ka bërë një punë të madhe pavarësisht se i ka munguar goli. Nëse do të shënonte aq shumë nuk do të ishte në Shqipëri, do ishte në kampionat tjetër. Me kalimin e ndeshjeve do t’i vije qetësia para portës dhe do të kompletohet si lojtar. Ne e kemi sulmuesin kryesor”. /abcnews.al