Ahmataj: Ne të kundërt nga Vllaznia, ndaj Teutës humbëm dy lojtarë

schedule22:14 - 7 Nëntor, 2020

schedule 22:14 - 7 Nëntor, 2020

Skënderbeu luan nesër në shtëpi ndaj Vllaznisë (16:45) dhe synon të marrë fitoren e parë, pas barazimit ndaj Teutës pretendente. Para kësaj ndeshje për mediet ka folur trajneri i korçarëve, Julian Ahmataj. Ai konfirmon dy mungesa dhe tregon se ndryshimet e Skënderbeut me kundërshtarin.

“Ndeshjet nga njëra-tjetra kanë oshilacione, nga sfida me Teutën humbën dy lojtarë. Dumfour dhe Govori, dy lojtarë të rinj, që u dëmtuan dhe shtuan problemet e skuadrës. Por nuk heqim dorë dhe kërkojmë maksimumin nga skuadra që të kënaqim një qytet të tërë.

Nuk jemi të njëjtë me Vllazninë. Ata kanë shumë lojtarë më eksperiencë që kanë luajtur shumë vite në Superiore dhe kanë marrë edhe prurje nga jashtë. Janë të bazuar te lojtarët me eksperiencë, jo te lojtarët e rinj.

Struktura e skuadrës sonë është me lojtarë të rinj, që do e ndihmojnë ekipin të shkojë sa më lart. Që në fillim kemi thënë se skuadrën do e zgjerojmë në numër, duke marrë se skuadrat e tjera kanë 25 lojtarë të federuar, kurse ne jemi munduar që ta zgjerojmë sa më shumë grupin.

Jemi ende në dilema në 2-3 lojtarë për nesër, por besoj se të gjithë lojtarë do kenë minuta për të luajtur dhe pesë zëvendësimet janë një mundësi e mirë për të gjithë që të shprehin aftësitë e tyre. Dua të shoh një skuadër që lufton për çdo top, të jetë kompakte dhe të marrim atë që duam”, u shpreh Ahmataj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!