Fitorja në Gjirokastër me Luftëtarin ishte detyrim për Tiranën, që tashmë ka një tjetër sfidë të vështirë. Bardheblutë do të luajnë sërish në transfertë dhe këtë herë me Teutën, ekip që synon titullin kampion këtë sezon.
Te Tirana kanë menduar që ta përgatisin ndeshjen në heshtje totale dhe trajneri Julian Ahmataj nuk do të flasë për mediat para kësaj sfide. Edhe me Luftëtarin ndodhi diçka e tillë, por vendimi mund të justifikohej edhe me faktin që vetëm dy ditë më parë ishte prezantuar dhe kishte folur për mediat.
Për ndeshjen me Teutën Ahmataj do të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin Eni Imami, i cili në sfidën me Luftëtarin mungoi për shkak kartonësh. Këtë herë nuk ka lojtarë të pezulluar, por janë disa që rrezikojnë sfidën e radhës.
Ditët e fundit probleme ka pasur me lojtarët e dëmtuar dhe nesër ndaj Teutës shanset janë të pakta që Albi Doka dhe Elton Cale të mund të luajnë. Stafi mjekësor po mundohet t’i rikuperojë sa më parë. /abcnews.al