Ahmataj: Çdo përgjegjësi mbi mua, ka momente kur “fikemi”. Titulli? Kemi vetëm një detyrë

schedule14:55 - 6 Dhjetor, 2019

schedule 14:55 - 6 Dhjetor, 2019

Kategoria Superiore rikthehet dhe Tirana pret Kukësin nesër në orën 16:30. Objektivi i vetëm është fitorja, edhe përballë bardheblutë kanë një rival shumë të fortë. Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj ka dalë në konferencën për shtyp, aty ku prek disa tema të ndryshme.

GJENDJA – “Gjendja  e skuadrës është e mirë. Problemet e tërmetit kanë kaluar. Kemi punuar shumë këto kohë, kemi vënë disa gjëra në rrugën e duhur, shpresoj të marrim benefitet e kësaj pune që kemi bërë”.

MUNGESA E FITORES – “Po t’i shikosh ndeshjet, jemi ndëshkuar nga kundërsulmet e skuadrave të tjera, gjëra që do një kohë të madhe për t’u riparuar. Për të qenë në ekuilibër dhe për të krijuar një lojë sulmuese, duhet më shumë ekuilibër taktik. Kjo mungon në momente të caktuara, rezultati shtyn lojtarët që të dalin nga detyrat. Kjo është e mirë që duhet rregulluar dhe përmirësuar që të kemi sa më shumë ekuilibër”.

NDESHJA – “Nuk mendoj se Tirana nuk ka qenë ndonjëherë favorite. Për ne është ndeshja e radhës, është një ndeshje që duhet fituar, si çdo ndeshje e kampionatit. Çdo ndeshje vlen tre pikë. Nuk kënaqem kurrë më barazim. Ne do hyjmë në fushën e lojës për të bërë maksimumin”.

QETËSIA – “Normalisht që po punohet shumë te Tirana. Duhet t’i përgatisim ndeshjet në mënyrën e duhur dhe me qetësinë e duhur. Në fund fare është një ndeshje që ka vetëm tre pikë”.

PRESION? – “Nuk ka presion fare, sepse çdo lloj presioni e kam marrë mbi shpinë. Të gjithë janë marrë me mua gjë që unë do ta bëj gjithmonë. E kam anashkaluar skuadrën nga kjo pjesë, kam hequr presionin e rezultateve dhe çdo gjë do ta marr përsipër unë”.

PËRGJEGJËSITË – “Për mua është e rëndësishme të marr përgjegjësi, sepse, për mua, funksionimi i një klubi ekziston në mënyrë të mirë kur të gjithë drejtuesit marrin përgjegjësitë. Përgjegjësia vjen nga lart, nuk vjen nga poshtë siç kërkohet shpeshherë”.

PËRMIRËSIMI – “Kam thënë që skuadra ka nevojë për përmirësim. Kemi momente në lojë, në ekuilibër, kur nuk sillemi siç duhet, reagojmë me vonesë, kemi disa pauza që duhen rikuperuar, sepse ato na sjellin deficite në fazën defensive, por edhe në fazën ofensive. Kjo nuk arrihet me fjalë, arrihet me orë pune. Duhen ditë dhe muaj stërvitje që kjo gjë të përmirësohet”.

NDRYSHIMET – “Momenti i ndryshimeve është në varësi edhe të mungesave, edhe asaj që japin lojtarët në fushë. Unë gjithmonë kam vendosur në bazë të asaj që lojtarët kanë dhënë në stërvitje. Ka momente që të gjithë nuk janë në një ditë të mirë, ka momente kur duhet të marrim vendime të tjera. Pauzat janë mendore, në kokat e futbollistit, nuk kanë lidhje me gjendjen fizike”.

TITULLI – “Besoj se do të shkojmë përpara që të shkojmë te titulli. Kemi detyre të japim maksimumin në fushë e lojës, si unë dhe lojtarët. Rezultatet nuk janë në dorën tonë, ne duhet të japim maksimumin”.

DY JAVËT E ARDHSHME – “Janë ndeshje që vlejnë 6 pikë. Mungesa e këtyre pikëve në shtëpinë tonë krijon diferencë me kundërshtarët. Nuk jemi në një moment jo të mirë, jemi në një moment problemesh në strukturën e lojës, por janë të rikuperueshme”.

MERKATO – “Është shumë herët. Kemi edhe 6 ndeshje për të luajtur. Nuk ka skuadër në botë që nuk do të përmirësohet dhe të ndërhyjë në merkato. Për momentin duhet të jemi të përqendruar te ndeshja e radhës”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!