Agron Malaj në listat e PS, xhaxhai i Aleks Nikës mesazh në Real Story: Keni gabuar! Klosi: Kemi kërkuar zbardhjen e 21 janarit

schedule20:45 - 11 Mars, 2025

schedule 20:45 - 11 Mars, 2025

TIRANË- Mbrëmjen e kësaj të marte, Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, i vrarë më 21 janar 2011, ka dërguar një mesazh në “Real Story” ku i kërkon gazetarit Sokol Balla ta pyesë në studio Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Blendi Klosi, nëse Agron Malaj, ish-komandanti i “Grupit të Zjarrit” më 21 janar do kandidojë për deputet të Partisë Socialiste më 11 maj.

Ai thekson se nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë Partia Socialiste ka gabuar me këtë zgjedhje.

“Kam një masazh nga Mark Nika, që është xhaxhi i Aleks Nikës, vrarë më 21 janar 2011: Mirëmbrëma Sokol, mundësisht nëse mund ta pyesni z. Klosi se a është e vërtetë se Agron Malaj, ish-komandanti i “Grupit të Zjarrit” më 21 janar, a është kandidat për deputet i Partisë Socialiste, nëse po, thuajini se keni gabuar”

Në përgjigje të kësaj, Blendi Klosi dha këtë përgjigje, duke u shprehur se PS ka kërkuar që SPAK të zbardhë krimin shtetërore të 21 janarit, ku u vranë 4 protestues të pafajshëm, para godinës së kryeministrisë.

“Agron Malaj është kryetari i Bashkisë së Matit, i votuar dy herë nga populli i asaj krahine, ka kërkuar kandidimin dhe ka dhënë dorëheqjen. Nesër do marrë vendimin kryesia. Është një nga ata djemtë që ka qenë në 21 janar, për të cilët ai ka dhënë dëshmitë e tij, ka qene një ndër më të akuzuarit e Sali Berishës në 21 janar, për t’ia hedhur fajin. Të gjithë ne që ishim në 21 janar, së bashku me të ndjerin dhe familjarët e të ndjerit, ishim të akuzuar. Ka një histori që ka dëshmuar në organet e drejtësisë. Unë e kuptoj edhe shqetësimin e tyre.  Është një nga kërkesat tona zbardhja e 21 janarit. Tani me sa duket, SPAK mbase edhe me provat e reja që ka marrë po bën dhe një vlerësim të fundit”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!