Agresiviteti i fëmijëve/ Psikologia: Ne si shoqëri nuk reagojmë, duhet të kontribuojmë për të mos pasur këto problematika mes adoleshentëve

schedule18:34 - 19 Nëntor, 2024

schedule 18:34 - 19 Nëntor, 2024

Psikologia Marsela Lekli në një intervistë në Tirana Live në ABC News, foli për ngjarjen që tronditi opinionin publik, vrasjen e 14-vjeçarit pas një sherri me disa bashkëmoshatarë.

Gjatë intervistës, Lekli renditi një sërë faktorësh të rëndësishëm që ndikojnë në agresivitetin e adoleshentëve, duk u ndalur së pari edhe tek ndikimi i rrjeteve sociale. Ajo bëri thirrje gjithashtu edhe për një reagim të shoqërisë, pasi kjo do të sillte edhe një zgjidhje të problemeve. Sipas saj indiferenca është shumë më shqetësuese, dhe se duhet të kontribuojmë të gjithë si shoqëri për të shmangur tragjedi të tilla.

“Kjo dhunë që po përcillet nuk mund të fajësojmë vetëm familjen. Mund të themi që familja është bërthama, pika kyçe, por a jemi ne një shoqëri që mund të ndikojë? Pasi kemi parë modelet që përcillet, dhe ato merren fillimisht nga rrjete sociale. Po të ishim një shoqëri më e ndjeshme nuk do të arrinim deri në këtë pikë sepse nuk është rasti i parë që ka ndodhur. Por është krijuar roli autoritar duke përdorur edhe egon e moshës adoleshente, apo përplasjet mes adoleshentëve që arrijmë në këtë pikë”, tha ajo.

Gjatë intervistës në studion e ABC News, psikologia theksoi se familja shqiptare tashmë është kthyer në dy standarde, një familje që i mundëson boshllëqet me gjëra të shtrenjta, por nga ana tjetër familje me pamundësi për të mbledhur të ardhura dhe këtu ndodh edhe mungesa e komunikimit.

“Por do të thoja që janë raste që ndoshta edhe nuk referohen të mësuesit kujdestar, apo tek psikologëve, pasi janë raste që ndodhin edhe jashtë oborrit të shkollës, por në rastin konkret mund të parandalohej. Prindërit dhe mësuesit kanë pjesën kryesore të edukimit. Jemi ne të gjithë shoqëri, që nuk reagojmë në një situatë të caktuar, pasi shohim se nuk është halli jonë. Por duhet të kontribuojmë të gjithë si shoqëri për të mos pasur këto problematika mes adoleshentëve. Po të ishte gjetur një gjuhë e ndërmjetme dhe të kishte reagime nuk do të ndodhte ajo që ndodhi, por ne stepemi. Në momentin që mungon komunikimi mendoj që situata do të agravohet edhe më shumë. Për këto ngjarje duhet edhe një prindërim mesatar, në bazë edhe të problematikave”, tha ndër të tjera ajo.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!