Agresioni kinez në Detin e Kinës Jugore, Biden diskuton me udhëheqësit e Japonisë dhe Filipineve

schedule22:10 - 12 Prill, 2024

schedule 22:10 - 12 Prill, 2024

Presidenti Joe Biden priti Kryeministrin japonez Fumio Kishida dhe Presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos me qëllim që t’i dërgojë Kinës mesazh të qartë që të ndërpresë sjelljet agresive ndaj fqinjëve në Detin e Kinës Jugore. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara, Presidenti Biden theksoi se çdo sulm ndaj Filipineve do të aktivizonte traktatin e ndërsjellë të mbrojtjes ndërmjet Uashingtonit dhe Manilës.

Agresioni i shtuar në Detin e Kinës Jugore. Anijet e rojës detare kineze po pozicionojnë topat e ujit dhe po bëjnë manovra të tjera të rrezikshme ndaj anijeve filipinase.

Kjo situatë ishte temë bisedimi e takimit trepalësh që u mbajt të enjten ndërmjet Presidentit Joe Biden dhe udhëheqësve të dy shteteve aleate të Shteteve të Bashkuara në Azi – Kryeministrit japonez Fumio Kishida dhe Presidentit të Filipineve Ferdinand Marcos.

“Çdo sulm ndaj avionëve të anijeve luftarake apo forcave të armatosura në Detin e Kinës Jugore do të aktivizojnë traktatin tonë të ndërsjellë të mbrojtjes,” deklaroi Presidenti Biden.

Të ashtuquajturat taktika të Kinës në zonën gri, si përplasja në anije, duke se bien shumë pranë rrezes së aktiviteteve që aktivizojnë marrëveshjen e ndërsjellë të mbrojtjes ndërmjet Uashingtonit dhe Manilës.

Presidenti filipinas Marcos nuk e përmendi publikisht Kinën por përdori një zhargon diplomatik që shpesh përdoret për të vënë në shënjestër Pekinin.

“Për t’u përballur me sfidat e ndërlikuara të kohës tonë duhen përpjekje të përbashkëta të të gjithëve, një përkushtim ndaj qëllimit të përbashkët dhe një angazhim i palëkundur ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla,” deklaroi Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos.

Kryeministri japonez Kishida shprehu shqetësimin e tij me taktikat e ngjashme kineze përreth ishujve të kontestuar në Detin e Kinës Lindore, të njohur me emrin Diaoyu në Kinë dhe Senkaku në Japoni.

“Në këtë kohë krizash të shumta me të cilat po ballafaqohet komuniteti ndërkombëtar, bashkëpunimi në të gjitha fushat ndërmjet aleatëve dhe shteteve që ndajnë të njëjtat vlera është thelbësor nëse duam të ruajmë dhe fuqizojmë një rend ndërkombëtar të lirë dhe të hapur të bazuar në sundimin e ligjit,” deklaroi ai.

Javën e kaluar, Filipinet, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Australia zhvilluan operacione të përbashkëta detare dhe ajrore në Detin e Kinës Jugore për ta zmbrapsur Pekinin, gjest që u kritikua nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.

“Kina është plotësisht kundër mentalitetit të Luftës së Ftohtë dhe politikës së blloqeve dhe kundër fjalëve dhe veprave që krijojnë dhe thellojnë kundërshtitë dhe minojnë interesat dhe sigurinë strategjike të shteteve tjera,” deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Udhëheqësit Biden, Marcos dhe Kishida njoftuan për ndërmarrjen e masave të reja parandaluese të mbrojtjes si dhe investime në infrastrukturë në Filipine dhe bashkëpunim në aspektin e ndihmës humanitare globale. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!