Hygerta Kasa është 25-vjeçarja nga Tirana, që prej 5 vitesh mban agjërim. Çdo fillim Ramazani, ajo e pret muajin e shenjtë me një emocion të veçantë.
“Ndjesi paqeje, mëshire, është ndjesi emocionuese për gjithë besimtarët. Mezi e pritëm”, shprehet ajo.
E rritur në një familje ku agjërimi është kthyer në traditë, ajo e nisi rrugëtimin që në moshë të vogël. Fillimisht me orë të reduktuara, por me kalimin e viteve vendosi t’a mbajë muajin e plotë.
“Me hamendësim në moshën 7 vjeçare kam nis të agjëroj me orë të reduktuara. Ngaqë agjëronte mami, dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, dukej si një ndjesi që doja t’a bëja dhe unë. Doja të haja iftarin në darkë me ta”, tregon Hygerta.
Familja e Hygertës përbëhet nga 6 anëtarë, të gjithë agjërues. Ajo tregon përjetimet e vakteve të lejuara gjatë syfyrit dhe iftarit, ku e gjithë familja bëhet bashkë në tryezë.
“Ajo pjesa e bashkimit, për syfyr dhe iftar, është moment shumë i bukur. Të afron me njerëzit, por, edhe me krijuesin. Ajo lodhja nuk llogaritët. Është një lloj shpërblimi kur i sheh të gjithë bashkë në tryezë”, thotë besimtarja.
Ajo thotë se ndjen kënaqësi kur sheh të rinjtë, bashkëmoshatarët e saj që gjatë muajit të shenjtë mbajnë agjërim.
“Shumica agjërojnë në rrethin tim shoqëror. Më bëhet shumë qejfi kur shoh të rinjtë që luten, agjërojnë, e mbajnë Ramazan”.
Hygerta ka edhe një urim për gjithë besimtarët.
“Zoti u’a pranoftë agjërimin dhe lutjet, e ua shpërbleftë me të mira.”, përfundon ajo.


