Pas zyrtarizimit të Shqipërisë dhe Serbisë si organizatorë të finaleve të Kampionatit Europian U21 në vitin 2027 janë zbuluar edhe detajet e axhendës së këtij turneu.
Ai do të jetë i ndarë në mënyrë të barabartë mes dy vendeve, ndërsa nderi i finales së madhe, ku do të jepet edhe trofeu do t’i takojë Tiranës.
Si Shqipëria ashtu dhe Serbia, bashkë me kombëtaret e tyre që sigurojnë automatikisht kualifikimin do të mirëpresin nga tetë skuadra, ndërsa emrat e tyre do të dalin nga shorti që do të hidhet të enjten në Nion.
Po ashtu, në rolin e të zotëve të shtëpisë, përfaqësuesja kuqezi dhe ajo serbe do t’i luajnë sfidat e tyre si skuadra pritëse.
Sa I përket stadiumeve, Shqipëria do të vendosë në dispozicion katër stadiume, “Arenën Kombëtare” në Tiranë, “Elbasan Arena” në Elbasan, “Loro Boriçi” në Shkodër dhe “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.
Ashtu si ndarja e kombëtareve edhe kalendari i sfidave do të vendosët pas shorit.
Ajo që dihet me siguri është se finalja do të luhet në “Arenën Kombëtare”. Impianti me kapacitet 22 mijë vende ka kaluar me sukses një test të këtij niveli, pasi në vitin 2022 priti finalen e Konferencë Ligës./abcnews.al