TIRANË- Pak ditë më parë kryeministri , Edi Rama në një takim me kryebashkiakët e vendit njoftoi krijimin e një Agjencie të re Planifikimi që do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, duke e cilësuar si një kanal ndërveprimi më të shpejtë me qeverisë dhe bashkive.
Por si do të funksionojë kjo agjenci dhe cilat janë përfitimet e saj?
Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, i ftuar në “Money Report” tha se bashkitë dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë në shumë fusha, ndërsa në lidhje me agjencinë në fjalë, u shpreh se fillimisht duhet të presim se çfarë kompetencash do t’i atribuohen asaj.
Ai u shpreh se bashkitë kanë nevojë të forcojnë pozitat e tyre dhe të jenë më produktive, sa i takon menaxhimit të territorit të saj. Sipas ekspertit, agjenci të tilla kanë edhe vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian.
“Vullnet politik i kryeministrit Edi Ramës. Se si do jetë organizuar dhe strukturuar kjo agjenci, do presim të shikojmë vendimin e Këshillit të Ministrave. Bashkitë dhe qeveria duhet të bashkëpunojnë.
Vendet e tjera kanë agjenci qendrore, që janë më tepër teknike dhe asistojnë bashkitë, por kjo varet se çfarë pozitash dhe autoriteti do t’i japësh kësaj agjencie. Duhet të presim, të shohim thelbin e agjencisë. Qëllimi është të forcojmë bashkitë atje ku janë, jo të vijmë të gjithë në Tiranë”, tha ai.
Ai u ndal dhe tek pjesa e “Paketës së Maleve”, ndërsa komentoi pjesën e vonesave në lidhje me dorëzimin e hartave nga ana e bashkive të vendit. Sipas ekspertit, vonesat janë legjitime pasi pjesa e pronave në vend mbart probleme të natyrave të ndryshme.
“Ka vonesa te Paketa e Maleve. Nuk kanë neglizhencë nga kryetarët e bashkive, por nuk e kanë lehtë ta bëjnë, sepse çështja e pronave në Shqipëri është e llahtarshme. Vonesat janë legjitime”, tha ai./abcnews.al


