Diskutime dhe debate të ashpra dominuan seancën paraprake ndaj ish-kryebashkiakut te Vorë Agim Kajmaku.
Gjykata e Tiranës e përfaqësur nga Vjollca Spahiu vendosi që të kalojë për gjykim çështjen në ngarkim të Agim Kajmakut, ndërsa ai vazhdon të jetë në arrati prej 3 muajsh.
Prokuroria e akuzon Kajmakun për 3vepra penale, “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, “Falsifikim i dokumenteve zyrtarë” si dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies së tij”.
Avokati Isuf Shehu kërkoi që të pushohet çështja me argumentin se nuk ka elemente të veprës penale. Ne dosjen e prokurorise të siguruar nga “ABC News”, thuhet se Kajmaku ka falsifikuar datën e shkarkimit të dy Nënkryetarëve të Bashkisë dhe në vend të tyre ka emëruar shefin e kabinetit të tij Gentian Picari. Sipas organit të akuzës Picari është emëruar me detyrë zv/kryetar bashkie me urdhrin numër 92, ndërsa lirimi nga detyra si Drejtues Kabineti është bërë me urdhrin numër 145, cka tregon sipas prokurorisë se urdhrat janë fiktivë dhe janë lëshuar më datë 31.10.2019 .
Sipas organit të akuzës, nga urdhri i emërimit tek ai i lirimit nga detyra e mëparshmne për Gentian Picarin, janë 53 urdhra që nuk gjenden në protokollin e datës 31 tetor. Në dosje thuhet gjithashtu se është ndërhyrë në librin e korrespondencës, me fraksione dhe në numra të tjerë protokolli duke shpallur fitues tenderash, veprime që janë kryer nga Kajmaku pas shkarkimit te tij nga detyra.
Ish-kryebashkiaku i Vorës u shkarkua nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve pasi u denoncua nga PD se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit, dënimin në shtetin grek, për falsifikim dokumentesh. Por gjatë kësaj kohe kompania e ish- kryebashkiakut u shpërblye nga qeveria me një tender prej rreth 50 mijë eurosh për mirëmbajtjen e gjelbërimit të Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza./abcnews.al