Në prag të zgjedhjeve politike për Kongresin dhe Senatin, administrata Trump ka vendosur të ndryshojë qasjen ndaj emigrantëve. Pas anulimit të praktikës së ndarjes së fëmijëve nga prindërit në kufirin SHBA-Meksikë, Trump ka pranuar të shqyrtojë disa mijëra kërkesa për azil.
Administrata amerikane ka rënë dakord të shqyrtojë kërkesat për azil të rreth 1 mij emigrantëve, prindër dhe fëmijë, të cilët ishin ndarë në kufirin me Meksikën në kuadër të praktikave të zgjedhura nga presidenti Trump kundër emigracionit klandestin. Vendimi, që i është dërguar i detajuar gjykatës, përbën një fitore të grupeve për të drejtat e njeriut që sfiduan politikat e Trump, që synonin dekurajimin e emigracionit. Nëse aprovohet nga gjykata e San Diegos, emigrantët dhe fëmijët e tyre do të kenë një mundësi të dytë për të aplikuar për azil, edhe pse autoritetet amerikane më parë i refuzuan kërkesat e tyre. Praktikat për ndarjen e fëmijëve nga prindërit dhe burgosja e shumë të miturve, kryesisht nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori shkaktuan protesta të shumta kundër administratës Trump, që u tërhoq në qershor. Vetëm pak ditë më vonë, një gjyqtar federal urdhëroi ribashkimin e familjeve, një proces që ende nuk ka mbaruar. Lëvizja e fundit e Shtëpisë së Bardhë lë të hapur mundësinë që edhe disa qindra prindër që janë deportuar nga Amerika pa fëmijët e tyre të mund të kthehen në Shtetet e Bashkuara; ndërsa raste të tjera do të shqyrtohen në bazë të prioriteteve. /abcnews.al