Afrika e Jugut ka humbur të hënën një prej figurave më historike në luftën për të drejtat e njerëzve me ngjyrë. Uini Mandela, ish-bashkëshorte e Presidentit Mandela, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare.
Aktivistja afrikano-jugore kundër Aparteidit, Uini Mandela, ka ndërruar jetë të hënën në moshën 81-vjeçare. Uini Madikizela Mandela ishte ish-bashkëshortja e Presidentit të parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela. Zëdhënësi i familjes, Viktor Dlamini, tha se ajo vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, për shkak të të cilës ishte shtruar disa herë në spital që prej fillimit të vitit.
“Ajo u shua në paqe pak pas mesditës, e rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e saj të dashur”, tha zëdhënësi.
Zonja Mandela lindi në vitin 1936 në Kepin Lindor, asokohe i njohur si Transkei. Ajo ishte një punonjëse sociale, kur u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm në vitet ‘50. Ata u martuan dhe qëndruan bashkë për 38 vjet edhe pse për thuajse tre dekada ishin të ndarë për shkak të burgimit të zotit Mandela.
Fotoja e tyre, teksa ecnin dorë përdore, kur Mandela sapo kishte fituar lirinë pas 27 vitesh burgim u kthye në simbolin e betejës për të drejtat e njerëzve me ngjyrë për dekada me radhë. Pavarësisht divorcit në vitin 1996, Uini mbajti mbiemrin e tij dhe ruajti lidhjet me të. Ndërkohë, në vitet e fundit reputacioni i saj u vu në dyshim ligjërisht dhe politikisht pasi u përfol për përfshirje në disa afera të paligjshme./abcnews.al