Berisha, vazhdojnë xhirot…në tarracë/ Gjykata e Posaçme e Apelit nuk ndryshon masën “arrest shtëpie”

schedule09:12 - 25 Janar, 2024

schedule 09:12 - 25 Janar, 2024

TIRANË- Apeli i posaçëm la të pandryshuar masën e arrestit shtëpiak për ish kryeministrin Sali Berisha. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi që Berisha të vazhdojë të hetohet i izoluar në banesë.

Për avokatin e tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, vendimi i së enjtes ishte politik.

Ish-kryeministri Sali Berisha mbahet i izoluar prej datës 30 dhjetor pas hetimeve të nisura për privatizimin e  ish-kompleksit Partizani.

Fillimisht gjykata e shkallës së parë caktoi masën detyrim paraqitje për Berishën, por ai nuk e zbatoi asnjëherë, çka detyroi prokurorinë të ashpërsojë masen.

Berisha po hetohet për korrupsion me dyshimin se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronarëve që përfituan pronën në ish-kompleksin Partizani.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi: Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-kryeministri, Sali Berisha 79 vjeç, është zyrtari më i lartë i opozitës në tre dekada që përballet me një situatë të tillë ligjore.

Ai është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

/i.k/n.m/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!