Afera e grurit në Kosovë/ PDK kërkon shkarkimin e ministres Hajdari

schedule12:22 - 18 Gusht, 2023

schedule 12:22 - 18 Gusht, 2023

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza ka dalë në një konferencë për mediat ku ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres së Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Kjo vjen pasi policia bastisi zyrat e kësaj ministrie pas publikimit të audio përgjimeve që lidhen me aferën e grurit dhe vajit.

“Albin Kurti duhet të shkarkojë menjëherë nga detyra ministren Hajdari për t’i hapur rrugë një hetimi të lirë dhe të pandikuar politikisht. Në një qeverisje normale, Rozeta Hajdari do të duhej të jepte dorëheqjen e vet si përgjegjësi morale për disa raste në të cilat është përfshirë gjatë kësaj periudhe.

Rozeta është dashur të japë dorëheqjen se të shkarkohet për fshehje apo mosdeklarim të pasurisë, kur ka blerë grurë për rezerva shtetërore për kompani ndërtimi, për përfshirjen e saj në aferat e grurit dhe vajit ku si pasojë e keqmenaxhimit, shteti ka humbur qindra mijëra euro.”, theksoi zyrtari i PDK-së.

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot në mëngjes tri aksione nëpër lokacione të ndryshme të Prishtinës, nën dyshimin se janë keqpërdorur rezervat shtetërore. Fillimisht është bastisur restoranti si dhe shtëpia e pronarit Ridvan Muharremi, i cili aksion ka rezultuar me arrestimin e këtij të fundit.

Më pas aksioni është zhvilluar në hapësirat e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka rezultuar me arrestimin e dy zyrtarëve të kësaj ministrie, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica. Të tre këta janë të dyshuar për keqpërdorim të rezervave shtetërore, në lidhje me aferën e vajit dhe grurit./abcnews.al