Afera e Gërdecit, rrëfehet ortaku i Diverolit: Shkëlzen Berisha negocioni për uljen e çmimit të fishekëve

schedule17:15 - 9 Shkurt, 2023

schedule 17:15 - 9 Shkurt, 2023

Dalin detaje të reja në lidhje me marrëveshjen prej 300 milionë dollarshe nga Pentagoni, që u përdorën për të siguruar municione nga Shqipëri. David
Packouz, Ortaku i Efraim Diverolit, ka rrëfyer se si ky i fundit arriti të negocionte me djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzeni, për uljen e çmimit të fishekëve kinezë.

Në një intervistë të dhënë për podkastin “Koncrete”, Packouz i kompanisë “AEY” sqaroi se si Diveroli për të mos rrezikuar kontratë 300 milionë dollarëshe, vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin.

“Efraimi donte të rrezikonte dhe të humbiste një kontratë 300 milionë dollarshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin. Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni.

Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, tha ai.

Packouz ka përmendur edhe një person, Patrick Henry i cili ishte në kompaninë “Albademil”. Sipas atij, Henry, i cili raportohet se ishte mik i mirë i Shkëlzen Berishës, po i mashtronte me çmimet e fishekëve. Për këtë arsye ai kërkonte ta nxirrte “jashtë loje” duke bërë marrëveshje direkte me shqiptarët.

“Diveroli donte gjithnjë e më shumë dhe i kërkonte shqiptarëve të ulnin çmimin, ia kërkoi përmes Henry-t sepse ai e bëri marrëveshjen për ne. I thoshte “dua një çmim më të mirë”, dhe Henry i thoshte “nuk e ndryshoj dot çmimin”. Efraimi fluturon në Shqipëri dhe nis të bisedojë me Kostën, dhe Kosta i thotë “kam një mik në Ministrinë e Mbrojtjes, mund të të jap ca informacione”.

Dhe Kosta mëson se Ministria e Drejtësisë, është zyrtarisht duke e shitur municionin te Henry për 2 cent copë. Dhe Henry na e shiste ne për 4 cent fishekun. Kjo e zemëroi Efraimin. Ne ia shisnim qeverisë amerikane për 10.5 cent fishekun, por duhet të paguanim edhe për transportin, që ishte 3 apo 4 cent për fishek që i bie se bënim gati sa çfarë bënte Henry. Ne ishim të sigurt se Henry paguante disa politikanë aty. Pasi ai ishte shumë mik me djalin e kryeministrit, Sali Berisha.”

Më tej Packouz rrëfen takimin e Efraim Diverolit me Shkelzen Berishën në prani të Ylli Pinarit dhe sipas tij, dhe me një mafiozi të madh shqiptar, të cilit nuk ia kujton emrin.

“Efraimi shkoi në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni. U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin. Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Evropë.”

Packouz rrëfeu se si vepruan pasi larguan nga marrëveshja, Kosta Trebickën, i cili u kontatraktua për të kryer paketimin.

“Efraimi e heq Kostën nga marrëveshja dhe Kosta u revoltua shumë, se i mbetën 20 mijë dollarë kuti, nuk ia paguan. Kosta u inatos shumë, sepse ai e dinte çfarë po ndodhte, ne i kishim thënë kujdesu që të mos ketë shenja kineze, dhe ai shkon e i thotë Nju Jork Times, dhe zyrtarëve amerikanë. Dhe ata nisën hetimin. Por gabimi i tij më i madh ishte se kontaktoi shtypin shqiptar, dhe u tha se ka korrupsion të madh me këtë marrëveshje, se politikanët po marrin ryshfet. Ai përfundoi i vdekur në rrethana misterioze. Një muaj më pas, ai ishte duke udhëtuar vetëm në një rrugë të sheshtë dhe papritmas pësoi një aksident ku përfundoi disa metra larg makinës. E cilësuan si aksident, por ishte aksident shumë i çuditshëm

Intervista është zhvilluar 4 muaj më parë. Ajo mund të cilësohet një dëshmi e fortë që mund të shërbejë për hetimet që kanë nisur autoritetet shqiptare. Prokuroria e posaçme njoftoi të mërkurën se ka zgjeruar hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu është tashmë zyrtarisht nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Por SPAK ka konfirmuar për herë të parë se ka regjistruar procedim penal edhe për pastrim parash e korrupsion të zyrtarëve të lartë. Megjithëse nuk ka specifikuar për kë, ajo që dihet është se pak ditë më parë, SPAK mori në pyetje edhe djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berishën që dha sqarime për 1 orë e 30 minuta përballë hetuesve.

Burime pohojnë jo zyrtarisht për Abc News se fokusi i këtij procedimi penal përfshin edhe djalin e ish kryeministrit Berisha./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!