Afati i dokumenteve biometrike/ Hoxha: Rreth 520 mijë emigrantëve iu skadon ID deri më 11 Maj. Të mundësojmë përfshirjen e tyre në zgjedhje

schedule10:45 - 27 Shkurt, 2025

schedule 10:45 - 27 Shkurt, 2025

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha kërkoi shtyrjen e afatit për dokumentet e skaduara të emigrantëve deri me 31 Maj. Duke folur në Kuvend, ministri u shpreh se janë rreth 520 mijë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që iu kanë skaduar dokumentet ose iu skadojnë deri më 11 Maj 2025, kur do të mbahen zgjedhjet.

Ministri tha se duhet të miratohet shtyrja e afatit duke iu dhënë kështu mundësinë historike emigrantëve që të shprehin vullnetin e tyre për zgjedhje.

“Nuk mund të lejojmë që vështirësitë e rinovimit të dokumenteve për ata që jetojnë jashtë shtetit të bëhen pengesë për pjesëmarrje në zgjedhje. Diaspora ka dhënë dhe jep kontribut të jashtëzakonshëm për vendin, qoftë në aspektin ekonomik, kulturor, por edhe atë diplomatik. Nuk janë vetëm qytetarë të Shqipërisë por ambasadorë me vlera të mëdha të aspiratave shqiptare, ndaj është detyra jonë të bëjmë çfarë është e nevojshme për të garantuar përfshirjen e tyre në çdo vendimmarrje që lidhet me vendin tonë. Me aktet në fjalë përcjellim mesazhin se shteti amë mbetet i përkushtuar për të respektuar të drejtat e qytetarëve pavarësisht se ku jetojnë ata.

Miratimi mundëson pjesëmarrje të gjerë të votuesve nga jashtë që po regjistrohen në platformën e KQZ. Identitek po vijon turin e aplikimeve me skuadrat e lëvizshme në qytetet e mëdha jashtë vendit ku jetojnë shumë shqiptarë, por nisur nga vlerësimet tona, numri i shtetasve me të drejtë vote, të cilëve iu ka kaluar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit ose mund t’u skadojë deri në 11 maj, është rreth 520 mijë shtetas. Sjellim në vëmendje se edhe KQZ në janar 2025 iu drejtua këshillit të ministrave për dijeni partive politike me qëllim shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve.

Çdo shtetas shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç pa dallim ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kemi detyrim t’u ofrojmë ndihmë dhe të mbrojmë të drejtat e shtetasve tanë. Këshilli i Ministrave propozon që afati i vlefshmërisë së ID dhe që mbaron deri në 11 maj të zgjatet deri në 30 maj. Për të përmbushur vendimin historik që diaspora të ketë mundësi për herë të parë të votojë jashtë vendit.”, u shpreh ministri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!