Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj ka deklaruar në emisionin “Sheshi i Dollarit” se aeroporti i Vlorës ka tre modele biznesi. Ai ka theksuar se janë në diskutime për mirëmbajtjen e avionëve.
Sakaq, Et’hemaj ka theksuar se aeroporti i Vlorës do të funksionojë gjatë gjithë vitit, jo vetëm në sezonin veror.
“Kur ne filluam të punojmë për aeroportin e Vlorës, ne pamë që ai merrte vetëm 15% të pasagjerëve të Tiranës. Por në periudhën aktuale, situatë është komplet ndryshe. Sepse në kohën kur ne e bëmë këtë plan, nuk e dinim që Durrës Marina do të ndërtohej, ka 12 mijë apartamente. Do të thotë që ata pasagjerë që do të shkojnë në Durrës Marina, do të përdorin Tiranën dhe jo Vlorën, pra vërtetë mund të humbim 15% por do t’i marrim nga burimet e tjera.
Ne shikojmë që aeroporti i Vlorës do të ketë punë 365 ditë të vitit dhe jo vetëm në sezonin veror. Ju e dini si kombinohen pushimet në Europë, ka pushime vere, dimri dhe të shkurtra. Po të shikoni asgjë nuk ndërtohet kot, Lungo Mare ka nxjerr në pah Vlorën, janë rritur asetet, po ndërtohet, pra Vlora plotëson të gjitha kërkesat si për destinacion gjatë verës dhe gjatë vjeshtës apo gjatë dimrit”.
Sa i përket, aeroportit të Gjirokastrës, ai tha se ka funksionuar aeroport që në kohën e Italisë dhe ka strukturë.
“Dëshirat janë një anë dhe kur ti fillon e zbaton shikon tjetër gjë. Nga pikëpamja e aviacionit, Gjirokastra dhe Saranda janë zero ndryshim. Gjirokastra me Sarandë është 35 minuta, asgjë. Gjirokastra është një aeroport që ka funksionuar në kohën e Italisë. Pra, sot e kësaj dite në fushën e Gjirokastrës është një pistë e gjatë, ku është fluturuar. Janë aeroporte që janë fluturuar dhe nuk ka pengesa”./abcnews.al