Ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posacme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në përfundim të afatit 2-vjeçar të hetimit.
Sipas burimeve Llallës i është komunikuar akuza “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Akuza ka të bëjë me një shumë parash të padeklaruara në Gjermani, te përdorur për shkollimin e vajzës, shumë për të cilën Llalla thekson se e ka marrë borxh tek një mik.
Ndërsa vetëm disa ditë më parë Llalla ka paraqitur në SPAK dokumenta ku sqaron se për atë shumë parash autoritetet gjermane i kanë cakuar masë administrative bashkëshortes së tij. ne vitin 2018 departamenti amerikan i shteti i ka ndaluar hyrjen në SHBA- Llallës dhe familjes së tij, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Gjithashtu në Prokurorinë e Posaçme ka mbërritur letërporosia nga DASH, ku sqarohet se vendimi i tyre është marrë pas lajmeve të publikuara në media.
Çështja është duke u hetuar nga SPAK për shkak të funksionit që ka pasur Adriatik Llalla. Hetimi ndaj ish-kryeprokurorit u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzën e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave, por më pas u transferua në ish-prokurorine e Krimeve të Rënda.
Më datë 20 Gusht 2018 ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vendosur masën “sekuestro preventive” për pasuritë në emër të tij, që janë kryesisht toka në Durrës dhe Tiranë. Vlera e pasurive të ish-kryeprokuroriti ishte rreth 1 miliardë lekë. Adriatik Llalla i shpëtoi procesit të Vettingut, pasi paraqiti dorëheqjen para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja e pranoi kërkesën e Llallës duke e nxjerrë nga sistemi./abcnews.al

