Adoleshenti që mbeti i plagosur mbrëmjen e të dielës në Korçë pas sherrit me disa bashkëmoshatarë të tij vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
14-vjeçari u transportua në orët e para të mëngjesit të së hënës në Spitalin e Traumës në Tiranë ku është duke luftuar për jetën.
Për ngjarjen policia ka shoqëruar në komisariat dhe ka marrë në pyetje 15 te mitur të moshës 13 deri në 15 vjeç të cilët u përfshinë në konflikt.
Ata kanë dhënë dëshminë e tyre në prani të psikologëve dhe prindërve ndërsa do të jetë prokuroria që pas hetimeve do të caktojë përgjegjësinë penale për secilin prej tyre.
Sherri mes adoleshentëve ndodhi mbrëmjen e të dielës rreth orës 21 në lagjen numër 12 të qytetit.
Mësohet se të rinjtë nisën të konfliktoheshin verbalisht mënjeherë sapo dolën nga kinemaja verore.
Më pas u përplasën fizikisht duke përdorur mjete rrethanore por edhe sende të tjera që i kishin me vete si doreza e shufra hekuri.
Në sherr u përfshinë të paktën 30 adoleshentë.
Nga goditjet njëri prej tyre, një djalë i moshës 14 vjeçari pësoi fraktura të rënda në kokë e pjesë të tjera të trupit.
Burime thanë se konflikti mes adoleshentëve, të cilët jetojnë në lagje të ndryshme të qytetit juglindor ka nisur në rrjetet sociale të paktën një javë më parë.
Në zonën ku ndodhi ngjarja nuk ka kamera ndaj dhe zbulimi i rrethanave dhe autorëve që plagosën rëndë bashkëmoshatarin e tyre pritet të jetë jo i lehtë./abcnews.al