Administrohet me një dozë të vetme, SHBA miraton vaksinën e Johnson & Johnson

schedule10:33 - 28 Shkurt, 2021

schedule 10:33 - 28 Shkurt, 2021

Rregullatori për Barnat në Shtetet e Bashkuara ka miratuar për përdorim vaksinën kundër COVID-19 të kompanisë Johnson & Johnson e cila administrohet përmes një doze të vetme.

Kjo është vaksina e tretë që është miratuar në SHBA kundër koronavirusit, pas Pfizer/BioNTech dhe Modernas. Vaksina Johnson & Johnson është më e lirë se dy vaksinat e tjera që po përdoren në SHBA, dhe po ashtu mund të ruhet në frigoriferë normalë dhe jo në temperatura ultra të ftohta.

Sipas studimeve, kjo vaksinë është 66 për qind efektive ndaj sëmundjes COVID-19. Kompania do të furnizojë SHBA-në me 100 milionë doza deri në fund të qershorit. Edhe Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë porositur doza të kësaj vaksine ndërsa 500 milionë doza gjithashtu janë rezervuar për programin COVAX.

Teksa përshëndeti këtë lajm, presidenti amerikan, Joe Biden i ftoi amerikanët që të vazhdojnë të respektojnë rregullat kundër pandemisë, siç është mbajtja e distancës, mbajtja e maskës dhe protokollet e tjera shëndetësore.

“Siç e kam thënë edhe herë të tjera, situata mund të përkeqësohet sërish teksa variantet e reja po përhapen dhe përmirësimi i situatës që kemi tani, mund të ndryshojë”, tha presidenti Biden./mv.abcnews.al