Administratori Tomorri: “Air Albania” gati me Anglinë, fusha do jetë e tjetër niveli

schedule18:34 - 26 Shkurt, 2021

schedule 18:34 - 26 Shkurt, 2021

“Air Albania Stadium” do të jetë gati për ndeshjen me Anglinë, që zhvillohet më 28 mars.  Administratori i stadiumit “Air Albania”, Kejdi Tomorri, e ka konfirmuar diçka të tillë përmes një deklarate të dhënë për kanalet zyrtare të komunikimit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Sistemi i ndriçimit me llamba të posaçme për fushën ka mbërritur. Janë prodhim i një prej kompanive holandeze, lider të kësaj fushe në botë, që kanë sistemet e tyre në shumë stadiume të Europës, si në Itali, Gjermani, Francë, Holandë, etj.

Pra, është i njëjti sistem që përdoret në të gjithë stadiumet më të mira të Europës. Mendoj që fusha do të jetë në gjendje mjaft të mirë, nuk mund të them në gjendje optimale, sepse koha është shumë e shkurtër në dispozicion para ndeshjes së marsit.

Fusha do të kthehet në një gjendje të mirë sidomos në pjesën jugore të stadiumit, ku bie hija dhe llambat shërbejnë pikërisht për të rritur rrënjët e barit, pra për të krijuar një fushë më stabël edhe në atë pjesë”, u shpreh Tomorri.

Më tej ai flet edhe për fazën e dytë të punimeve, që ka të bëjë me vendosen e tapetit hibrid.  “Ne kemi iniciuar një sërë procesesh që kanë të bëjnë me shkriftimin e fushës, procesi i ‘verti drain’, ajrimi i fushës dhe më pas do të bëhet një mbjellje e fushës për të proceduar me vendosjen e llambave, që do të stimulojnë akoma më tepër rritjen e barit.

Ky është një plan imediat për ndeshjen me Anglinë dhe në përfundim të ndeshjes me Anglinë do të vijë një tapet hibrid, që përdoret gjerësisht në stadiumet e mbyllura në Europë dhe më gjerë. Me vendosjen e tapetit të ri, pastaj pretendojmë që këtu të luhen një numër akoma më i madh ndeshjesh, deri në dy ndeshje në javë pa u dëmtuar fusha”, përfundoi drejtori i stadiumit “Air Albania”. Investimi për fushën do të shkojë në rreth 1 milion euro./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!