Administrativja vulosi mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif”, mësuesi: Vendim i padrejtë, stafi mbeti mes 4 rrugëve

schedule11:14 - 7 Tetor, 2022

schedule 11:14 - 7 Tetor, 2022

Gjykata Administrative vendosi sot që të rrëzonte kërkesën e kolegjit të vajzave “Mehmet Akif” duke bërë kështu që heqja e licencës të mbetet në fuqi. Në një prononcim për gazetarin Ermal Vija, një nga mësuesit e kolegjit, Bujar Muzhaqi u shpreh se vendimi ishte i padrejtë dhe i pabazuar në ligj apo argumente.

Tashmë, shpjegoi ai, synimi kryesor është transferimi i nxënësve nëpër shkolla cilësore.

“Nxënësit do të dërgohen te “Turgut Ozal” në Tiranë dhe në Durrës. Stafi, mësuesit, punonjësit sanitarët, mbeten të papunë duke nisur nga sot.”

“Kemi marrë masa që të mos mbeten mes katër rrugëve, do t’i shpërndajmë në institucione të tjera. Nuk bëhet fjalë për institucione publike, s’mund t’i besojmë më ministrisë.”

Kujtojmë se qeveria shqiptare njoftoi më 22 shator mbylljen e gjimnazit  “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë.

Vendimi u shpall pas mbledhjes së qeverisë dhe mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku ndërsa gjimnazi turk në Shqipëri duhet të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm që ata të transferohen në institucione të tjera arsimore.

Kolegji “Mehmet Akif” ka rezultuar si gjimnazi më cilësor gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri. Ky është vendimi i dytë kundër këtyre shkollave gjatë kohëve të fundit.

Vetëm ditë më parë, Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e një kopshti pjesë e kolegjeve “Turgut Ozal”.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave bëhet me dije se institucioni arsimor ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferim në një institucion tjetër dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!