Administrata e Biden pezullon shitjet e armëve në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite

schedule11:39 - 28 Janar, 2021

schedule 11:39 - 28 Janar, 2021

Zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit bëjnë me dije se administrata e presidentit, Joe Biden, ka vendosur të pezullojë disa kontrata për shitjen e armatimeve për aleatët, me qëllimin për të kontrolluar mënyrën si janë arritur.

Kontrollet e këtij lloji janë tipike për një administratë të re, por administrata e Donald Trump raportohet se ka bërë marrëveshje të momenteve të fundit, duke përfshirë një për 50 avionë F-35 të prodhuar nga “Lockheed Martin” si një “mbështetje” për Marrëveshjet e Abrahamit, vetëm pak kohë përpara betimit të Biden.

“Departamenti është duke ndalur përkohësisht zbatimin e disa transferimeve dhe shitjeve të armatimit nën Shitjet Ushtarake të Huaja dhe Shitjet Tregtare Direkte, për t’i lejuar udhëheqjes së ardhshme një mundësi për të rishikuar”, tha zyrtari.

Avionët F-35 janë një komponent kryesor i një akordi prej 23 miliardë dollarësh të armatimeve të teknologjisë së lartë të arritur nga General Atomics, Lockheed dhe Raytheon Technologies Corp me Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa Arabia Saudite nënshkroi një marrëveshje për 7500 bomba me precizion me Raytheon.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, në konferencën e tij të parë për shtyp, shprehu mbështetje për Marrëveshjet Abraham që i dhanë njohje Izraelit nga disa vende.

“Siç kemi thënë, ne mbështesim fuqishëm për marrëveshjet e Abrahamit. Ne mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët e tij nga Izraeli dhe vendet e tjera në rajon është një zhvillim shumë pozitiv. Ne shpresojmë që të ketë një mundësi për t’u mbështetur në to, në muajt dhe vitet përpara”, tha ai.

Por Blinken tha se donte një ”tablo të plotë” të çdo angazhimi që mund të ishte bërë, kur u pyet për shitjet e avionëve F-35 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe armët në Arabinë Saudite./abcnews.al