Administrata amerikane ndan shqetësimet e njëjta me Kongresin për tensionet në veri

schedule08:29 - 29 Qershor, 2023

schedule 08:29 - 29 Qershor, 2023

Administrata amerikane e Joe Biden ka të njëjtat shqetësime sikurse edhe Kongresi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Kështu raportoi Zëri i Amerikës, që citoi një një zëdhënës të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, duke theksuar angazhimin amerikan për të ulur tensionet në veri të Republikës së Kosovës.

“Zyrtarët e qeverisë amerikane duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, kanë punuar ngushtë me partnerët e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje diplomatike për ngjarjet e fundit. Ata janë angazhuar me udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për të nxitur shtensionimin dhe përqendrimin e ripërtërirë në zbatimin e marrëveshjeve të normalizimit të nënshkruara në fillim të këtij viti”, tha ky zëdhënës.

Ai ka nënvizuar se “normalizimi i marrëdhënieve, pjesëmarrja në proceset demokratike dhe respektimi i sundimit të ligjit do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në veri të Kosovës”.

Komentet erdhën pasi një grup i senatorëve amerikanë kërkoi nga administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden që “t’i japë përparësi adresimit të situatës së përkeqësuar të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë”.

Letra që përmban nënshkrimet e tetë senatorëve demokratë dhe republikanë, inkurajon presidentin që të shqyrtojë shitjet ushtarake, nëse dy palët nuk angazhohen për propozimin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se do të ndërmarrë një numër masash kundër Kosovës, të cilat do të komunikohen në këtë javë.

Ato do të përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!