Agim Ademi, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, është i ftuar në emisionin Pressing, në ABC News. Në fjalën e tij, Ademi tha: “E kemi pasur të domosdoshëm VAR-in, është praktik tashmë në të gjitha ligat më prestigjioze.
Te ne, në këto raste të dyshimta, nuk është se gabon me qëllim arbitri. I kanë dhe të tjerët fajet, jo vetëm arbitri. VAR-i është i domosdoshëm dhe në Kosovë kemi filluar të punojmë për instalimin e kësaj teknologjie. Po punojmë për krijimin e një serveri te VAR-it, por besoj se 2 ose 3 javët e fundit të këtij sezoni, do të jetë i pranishëm VAR-i.
Siç e tha dhe Starova, futbolli në Kosovë po rritet. Në Shqipëri, investimet kanë qenë më të mira. Por nëse flasim për vitin e fundit, është rritur niveli i investimeve tepër në Kosovë dhe mendoj se kemi ecur me hapa shumë të shpejtë, për faktin se kemi qenë jashtë fushave të futbollit dhe thuajse kemi pasur një mbijetesë 10 vjeçare, me rregullat e UEFA-s dhe FIFA-s.
Jam shumë i lumtur që kemi ardhur në këtë pikë dhe në këtë vit, 3 skuadra kanë shkuar në Europë. Në Kosovë është aplikuar ligji i sponsorizimit, i cili i jep mundësinë Koorporatave të mëdha që një pjesë të tatimit në fitim, t’i japin klubeve të futbollit, në kuotën 30%. Nga janari, është i aplikueshëm ky ligj, edhe pse janë bërë para-kontratat që vitin e shkuar mes klubeve dhe Koorporatave. Superliga jonë do të jetë me 10 ekipe dhe sigurisht do të ketë rritje më të madhe të Shqipërisë./abcnews.al