Është folur shumë në Lezhë për një sistem ngrohjeje qendror për shkollat. Por kjo nuk ka ndodhur dhe në ambjentet e nxënësve është acar. Kjo dhe për shkak se oxhaqet janë mbyllur.
Automatë që duhen ngritur herë pas here. Nuk përballojnë ngarkesën dhe kjo është rutina e mësues Gëzimit në shkollën 9 vjeçare “Gjergj Fishta” në Lezhë.
Energjia elektrike është mënyra e vetme për të siguruar ngrohjen në këtë shkollë. Në korridore e klasa ka kaloriferë të vendosur në mure, por ato janë jashtë funksionit.
Edhe pse është rikonstruktuar 3 vite më parë, ngrohja nuk i është mundësuar kësaj shkolle. Situatë e ngjashme edhe në 3 shkolla të tjera të qytetit të Lezhës.
Ndërtuar apo rikonstruktuar vitet e fundit, në asnjë prej tyre nuk është vendosur sistem ngrohjesh qendrore. Kurse oxhaqet janë mbyllur.
Drejtori i arsimit në Bashkinë e Lezhës, Ardian Laçi, thotë se ajo që ka ndodhur në Lezhë është një fatkeqësi. Ai thotë se pavarësisht kostove, Bashkia ka lejuar ngrohjen me energji elektrike në mënyrë që të përballohet i ftohti i dimrit.
Ardian Laçi Drejtor i Arsimit në Bashkinë Lezhë: “Kjo vjen nga mosrealizimi i sistemit qëndror të ngrohjes. Edhe në këtë shkollë është bërë vëtëm instalimi i rrjetit shpërndarës dhe nuk kemi impiant qëndror të sistemit të ngrohjes”.
Për të riparuar, rivendosur apo rihapur oxhaqet Bashkia e Lezhës ka kërkuar edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit.
Gazetar i ABC News, Lezhë: Gjergj Figuri
/abcnews.al