Lihen në masën e “arrestit në burg” dy të arrestuarit e akuzuar për veprat penale të “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” dhe “shfrytëzim prostitucioni”.
Në seancën gjyqësore avokatët e tyre kanë deklaruar se nuk ka akuza ndaj klientëve të tyre, por dyshime.
Ledian Spaho, avokati mbrojtës i Marsel Baçit deklaroi se “Në vlerësimin tonë si mbrojtje, dyshimi nuk ka ndonjë provë konkrete, por janë deklarime të personave kallëzues të cilët orientojnë organin e akuzës në lidhje me ekzistencën e elementi të veprës penale por mënyra, forma, koha ku mund të jetë konsumuar vepra penale nuk përcaktohet. Nga ana tjetër rezulton që në lidhje me shtetasin Marsel Baçi nuk ka ankesë konkrete, por referohet vetëm nga komunikimi dhe një marrëdhënie që kanë patur të rinjtë kohët e fundit. Njëri është për “shfrytëzim prostitucioni” dhe dua tu shpjegoj që s’jemi në kushtet e një akuze, por të një dyshimi. Nëse do flasim për akuzë do të presim përfundimin e hetimeve dhe administrimin e tërësisë të provave për të parë nëse ka vepër penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Në këtë moment s’mund të flasim për këtë vepër penale sepse ajo kërkon elementë konkretë, veprime konkrete.
Po, është pranuar në deklarimet që kanë dhënë para oficerit të policisë gjyqësore, është deklaruar që kanë kryer marrëdhënie seksuale. Kanë ndodhur me dëshirën e vetë të miturës e cila absolutisht në asnjë moment nuk provohet të jetë imponuar apo detyruar forcërisht. Janë kryer marrëdhënie seksuale, por ngelemi skeptikë dhe jokonkretë nëse janë kryer dhe si janë kryer sepse akti seksual s’mund të kryhet në mënyrë brutale. Është minorene por ka kaluar kufirin e moshës 14 vjeç, është 15 vjeç dhe nëse marrëdhënia seksuale e saj është me dëshirë, mandej është organi i akuzës që përcakton veprën. Do i ngelet përfundimit të hetimeve dhe çfarë do na diktojnë provat. Para gjykatës të akuzuarit janë shprehur dakord me mbrojtjen.”
Ndërsa Denis Mekolli, avokati mbrojtës i Selam Hykës deklaroi se “Me provat që kemi parë deri në këto moment, nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm sepse vepra penale që akuzohet i mbrojturi prej meje, shikohet në disa pikëpamje. E para është që edhe nëse ka ndodhur ngjarja, të provojë dhunën. S’rezulton në asnjë moment që të ketë pasur dhunë apo elementë të saj, si fizikë dhe psikologjikë. Kjo është e vërtetuar dhe me aktet deri në këtë moment. Nuk kemi provë konkrete, nuk kemi dëshmi për shkak të privatësisë. Prokuroria deri në këtë moment ka kallëzimin dhe disa akte shkresore që mund të jenë në cilësinë e provës. Nuk provohet të ketë pasur dhunë.”
/abcnews.al