Abuzimi me tenderat/ GJKKO çon për gjykim dosjen ndaj dy zyrtareve të ministrisë së Shëndetësisë

schedule12:52 - 13 Shtator, 2023

schedule 12:52 - 13 Shtator, 2023

Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen në ngarkim të ish-sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro si dhe specialistes Laureta Shteto. Gazetari i ABC Neës, Ermal Vija raporton se togat e zeza të GJKKO-së pranuan kërkesat e të pandehurave për gjykim të shkurtuar.

Sipas prokurorisë, Joana Duro, në cilësinë e sekretrares së përgjithshme, ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Ndërsa Laura Shteto akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Duro akuzohet se ka marrë ryshfet shumën prej 330 mijë lekë për të favorizuar kompaninë “Dricons” që garonte për një tender. Sipas SPAK, shumën e parave e ka marrë si ryshfet nga Vladimir Topi administratori i kompanisë me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Shuma e parave i është dërguar në zyrë Joana Duros nga Laura Shteto. Kjo shumë parash është dhënë nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i kompanisë, që ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi në fjalë. Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë kompanisë në pronësi te Topit, ka marrë shumën e parave dhe ia ka dërguar Shtetos./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!