Për të folur mbi abuzimin me të miturit, ishte e ftuar në studio me gazetaren Suela Demiri në ABC News, avokatja dhe lektorja e të drejtës penale Enida Bozheku.
Kjo bisedë u zhvillua duke marrë shkas nga rastet e abuzimit seksual mbi të miturit nga autoritetet shtetërore. Një roje shkolle dhe së fundmi nga një punonjës policie të cilët kanë zhgënjyer besimin mbi këto autoritete.
Bozheku tha se zhgënjimi nga institucionet tregon se diçka në hallkën e ndërgjegjësimit nuk po funksionon si duhet.
“Gjëja e parë që duhet të bëhej për këto fenomene do të ishte një lloj identifikimi dhe krijimi i një identikiti për këta gjahtarë që potencialisht kanë të dhëna për të qenë pedofilë apo agresorë seksual. Është ende tabu të flasësh për dhunën seksuale në shoqërinë shqiptare sepse është viktima që atakohet dhe ngatërrohet duke u akuzuar si sinonim i një provokimi të mundshëm. Ka një heshtje edhe të vet shoqërisë për këtë lloj krimi”, tha Bozheku.
Bozheku theksoi se një nga vendet që duhet të jetë vigjilentë janë edhe ambulancat shëndetësore apo institucionet shëndetësore që shpesh herë shkojnë vajzat e dhunuara apo të abuzuara.
“Mjeku apo infermierët që bën edhe mjekësi ligjore, bien shpesh në kontakt me këto viktima, por si pasojë e frikës që kanë për veten, edhe pse e kanë detyrim ligjor për të raportuar këto raste, ata nuk i denoncojnë. Të paktën në Shqipëri nuk ka të dhëna që këto institucione të kenë denoncuar këto raste. Shikoni sa shumë hallka janë që nuk funksionojnë. Hulumtimet dhe statistikat për këtë temë në Shqipëri ka një tendencë që mos të jepet ndëshkimi i duhur. Kjo vepër penale është shumë e rëndë por edhe nga gjyqësori nuk merren vendime në proporcion me çfarë ka ndodhur, duke dhënë vendime të lehta”, u shpreh ajo.
Media në fakt ka pasqyruar këto raste, dhe kjo ka bërë që këto vajza të abuzuara të nxiten dhe të reagojnë por ka patur edhe media që kanë publikuar të dhëna sensitive të të miturve në disa raste.
Për këtë Bozheku u shpreh:
Në procedurën penale është i përcaktuar mbrojtja ligjore që u jep këtyre viktimave në mënyrë të veçantë. AMA si rregullatorë e mediave duhet të reagojë në mënyrë të përshpejtuar dhe të tregojë se çfarë do të thotë e drejta e privatësisë dhe cilat janë pasoja ligjore kur shkelet kjo e drejtë. Njerëzit duhet të dinë faktin por jo detajet e faktit. Ligji parashikon gjoba në këto raste deri në kundërvajtje penale. Kur ka të dhëna sensitive për këto raste, ligji duhet të veprojë sepse ka pasoja të rënda edhe për vetë viktimën e cila mund të shkojë deri në vetëvrasje. Kush do e mbajë përgjegjësinë pastaj…
Për sa i përket institucioneve arsimore, konkretisht shkollave, Bozheku tha se shpesh psikologu i atashuar nuk flet dhe nuk bisedon me fëmijët dhe është tejet i mbingarkuar.
“Një nga detyrat kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë, që është edhe përgjegjësi kryesor për këto raste kur ndodhin nëpër shkolla, është që të ngarkojë një mënyrë të përcaktuar psikologësh në proporcion me fëmijët, është mbingarkesë edhe për vetë psikologun kur merret me rastet. Ministria e Arsimit duhet të bëj një revolucion të vërtetë nëse do të marrë merita. Ministria e Arsimit duhet të bëj më shumë për të parandaluar fenomenin dhe për të ndëshkuar ata që dinin dhe nuk folën për rastet. Ministria i ka instrumentet për trajtimin e këtij fenomeni. Ministria e Arsimit nuk mund të thotë që fajin e ka bota, nuk flitet kështu”, tha ndër të tjera avokatja./abcnews.al