Abuzimet me çmimin e naftës, zbardhen ndëshkimet e bordit: Gjobë deri në 10 milionë lekë për karburantet

schedule12:00 - 14 Mars, 2022

schedule 12:00 - 14 Mars, 2022

Qeveria ka reaguar pas protestave të qytetarëve dhe ka vendosur që të ngrihet një bord i cili do të miratojë çdo ditë çmimin e naftës që do shfaqet në tabela. Pasi Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka vendosur çmimin fiks të shitjes së naftës, janë publikuar edhe masat që do të merren ndaj bizneseve që nuk zbatojnë vendimet e bordit.

“Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a)   Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të  naftës dhe gazit dënohen  me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë; c)Në  rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit”, thuhet në vendim.

Duke qenë se kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për 90 ditë në avancë për të shmangur një krizë, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender. Gjithashtu do të ndëshkohet me gjobë për 50% e vlerës të produkteve rezervë që i mungon.

“Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. 2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit. 3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik”, thuhet në Aktin Normativ.

LEXO të gjitha masat 

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!