Abuzime me pensionet e veteranëve, prokuroria e Kosovës padit 12 persona

schedule11:31 - 15 Shtator, 2018

schedule 11:31 - 15 Shtator, 2018

Abuzimet me pensionet për veteranët e luftës së viteve ‘98-‘99 kanë shtyrë Prokurorinë e Kosovës të ngrejë akuzë ndaj 12 personave, mes të cilëve figurojnë ish-kryeministri Agim Çeku dhe ministri aktual i FSK-së, Rustem Berisha.

Zyra e prokurorit në Kosovë ka paditur 12 persona, mes të cilëve figura të hershme të qeverisë, nën akuzën se kanë abuzuar me fondet për veteranët e luftës. Sipas mediave kosovare, të paditurit kanë regjistruar mijëra njerëz si veteranë për të përfituar nga fondet prej disa milionë eurosh. Aktualisht në Kosovë rreth 40 mijë persona përfitojnë nga kjo skemë pensionesh, por prokuroria pretendon se gjysma e tyre nuk ka luftuar kurrë në konfliktin e viteve 98-99.

Prokurori Aleksandër Lumezi ka deklaruar për agjencinë “Reuters” se mes personave të akuzuar janë edhe Rustem Berisha, ministër i FSK-së dhe Agim Çeku, zëvendësi i tij. “Nga provat që kemi mbledhur deri tani duket qartë se pagesat e rreme kanë dëmtuar me 68 milionë euro buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Lumezi. Çeku, që ka shërbyer si kryeministër në periudhën 2006-2008, është gjithashtu kreu i komisionit që vlerëson kërkesat e veteranëve për të përfituar pensionin. Fakti që ai dhe figura të tjera të politikës kosovare vijnë nga radhët e UÇK-së i ka vështirësuar disa herë hetimet. Prej kohësh Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar Kosovën se skema e pensioneve për veteranët e luftës do të kthehej në barrë për buxhetin e shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!