Sulmuesi i Romës, Tammy Abraham është aktualisht i angazhuar më kombëtaren Angleze në ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katar 2022”.
Në një intervistë për mediat britanikë, sulmuesi anglez ka treguar për marrëdhënien që ka me trajnerin e Romës, Jose Mourinho, kalimin në kampionatin italian dhe një rikthim i mundshëm në Premier League.
“Me ka mësuar shumë gjatë këtyre tre muajve dhe kërkon që unë të jem shumë më agresiv në fushën e lojës, të jem një lloj mostre. Nuk vlen xhentilesa kur luan në nivele të larta dhe Mourinho më thotë shpesh që duhet të jem shumë më i ashpër në dyluftime, ndaj po punoj që të përmirësohem në këtë aspekt.
Në fakt në fillim pyesja veten a dua vërtetë të largohem nga kampionati më i mirë në botë? Megjithatë mendoj se kam bërë zgjidhjen e duhur, pasi ka edhe lojtarë të tjerë që kanë bërë këtë rrugëtim dhe janë rikthyer më të fortë. Një ndër ta është edhe Romelu Lukaku. Për fat të mirë edhe trajneri Southgate e mban një sy të hapur gjithmonë për lojtarët që luajnë jashtë vendit.
Nuk është asnjëherë e lehtë të shkosh në një vend të ri, e të përshtatesh me një stil jetese e futbolli krejtësisht të panjohur. Megjithatë koha kalon dhe ambientimi po shkon më së miri, ndaj shumë shpejt do ta tregoj këtë edhe në fushë”, ka deklaruar sulmuesi Abraham. /f.a/abcnews.al