Aborti për 16 vjeçarët, mjekët: Duhet miratimi i familjes, si për çdo ndërhyrje

schedule19:17 - 26 Prill, 2024

schedule 19:17 - 26 Prill, 2024

Projektligji për shëndetin riprodhues që pritet të miratohet në parlament, duhet te shoqërohet me ndryshimin e ligjeve te tjera, me te cilat nene te ndryshme te tij krijojnë përplasje.

Avokati Gylsen Zhllima, thotë për ABC se ky ligj nuk mund të miratohet pa ndryshuar kodin e familjes qe përcakton se prindi ka përgjegjësi për fëmijën e tij deri në moshën 18 vjeç.

“Në rastin konkret, ky projektligj për mendimin tim cënon kodin e familjes. Sepse tek ushtrimi i përgjegjësisë prindërore, prindi për shkak se është përgjegjësi kryesor, duhet të jetë gjithmonë i informuar çfarë ndodh me fëmijën e vetë. Duhet të jemi gjithmonë në harmoni se çfarë ndodh me dispozitat që kemi në fuqi. Pra kodi jonë material ka përparësi nga ligje të tjera që i korrigjojnë apo vijnë edhe plotësojnë disa ligje që kanë të bëjnë më shëndetin e një personi”, tha avokati Gylsen Zhllima.

Edhe bluzat e bardha ndodhen në vështirësi përballë këtij projektligji. Mjeku Obseter Gjinekolog, Rustem Celami, thotë se aborti për vajzat mbi 16 vjec, i parashikuar në draftligjin për shëndetin riprodhues e seksual, si çdo ndërhyrje tjetër kirurgjikale, për cdo moshe, nuk mund te kryhet pa miratimin e një personi të familjes.

“Ne edhe te adultët, pra 20-30 vjeçarët, ne prapë kur bëjmë një intervent ne duhet të kemi edhe miratimin e informuar të pacientes. Por duhet të marrim edhe personat e interesuar, siç është bashkëshorti, mund të jetë partneri, apo familja. Aq më tepër në këto raste unë jam i sigurt që shumë kolegë të mi, do të duhet ta refuzojnë”, tha Rustem Celami, mjek obseter gjinekolog.

Por ky ligj vendos edhe mjekun përpara përgjegjësive penale në rast komplikacioni.

Duhet të kemi parasysh që mjeku ka një protokoll të caktuar përpara se të shkojmë tek ligji. Ai duhet të kujdeset se si duhet të bëjë veprimin e tij, mjekësor. Paralelisht ai duhet të kujdeset edhe për procedurën ligjore. Sepse për shkak se është fëmijë i mitur ai duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale.

“Nëse ligji miratohet, unë dhe kolegët do gjendemi përballë një situate të tillë, dhe do jetë një vendim shumë i vështirë që ne të mundemi në radhë të parë të sqarojmë një adoleshente, në moshën 16 vjeçare, apo ta marrim vendimin e saj të menjëhershëm si të mirëqenë. Vetë adoleshentja nesër mund të ketë ndryshime vendimi, do gjendemi vështirë. Ne si mjek kemi për detyrë ta informojmë për situatën, për rreziqet, dhe kjo duhet të jetë një gjë që nuk e mbulojmë vetëm ne si specialistë, por edhe psikologu, sociologu”, ka thënë mjeku obseter gjinekolog, Rustem Celami.

Mjekët kanë kundërshtime edhe për rritjen nga 12 në 14 jave të kohës se ndërprerjes së shtatzënisë. Sipas tyre, zgjatja e afatit te lejuar për abort, ndërsa fetusi rritet, shton mundësinë komplikacione, duke vënë në rrezik jetën e vajzave apo grave. Mjekët thonë gjithashtu se shtyrja me dy jave e afatit ligjor për ndërprerjen e shtatzënisë i hap  rruge dhe abortit selektiv mbi bazën e gjinisë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!