Jo më kot janë në vendin e parë të tabelës. “Rrogozhinasit” e Egnatias kanë treguar edhe njëherë se e meritojnë të udhëheqin renditjen e Superiores, teksa mesditën e kësaj të shtune kanë fituar me përmbysje, 1 me 2, në transfertën e Laçit, duke i dhënë fund ecurisë pozitive të “Bardhezinjve”, që vinin pas dy fitoresh radhazi.
“Kurbinasit” ishin ata që kaluan të parët në avantazh në pjesën e parë kur pas zhvillimeve të një këndoreje, William Cordeiro i parapriu mbrojtësve rrogozhinas dhe shkundi rrjetën e Dabjanit, mirëpo në fraksionin e dytë, miqtë zbritën me një tjetër ritëm dhe ia dolën që brenda shtatë minutash të shënonin dy gola, fillimisht me anë të Montengro, në të 62’-tën, ndërsa në të 69-tën, realizoi një gol mjaft të bukur Ibrahimoglu.
Në vijim, vendasit provuan që të merrnin të paktën një pikë nga kjo sfidë, por nuk ia dolën me Egnatian që rezistoi deri në fund dhe mori një trepikësh që e mban në vend të parë me 60 pikë, e që afron edhe më shumë me sigurimin matematikor me një vend në “Final Four”. Nga ana tjetër, Laçi mbetet në vendin e shtatë me 38 pikë duke mbeteur e përfshirë në garën e mbijetesës. /i.m /abcnews.al