Abissnet Superiore/ Daja e bën “sefte” me Dinamon, Tirana regjistron barazimin e pestë radhazi në kampionat

schedule20:56 - 16 Shtator, 2024

schedule 20:56 - 16 Shtator, 2024

Me përfundimin e sfidës Laçi-Partizani, në programin e javës së pestë, së Abissnet Superiore mbetën vetëm përballjet Dinamo City-Skënderbeu e Tirana-AF Elbasani, me të dy sfidat, që kanë përfunduar vetëm pak minuta më parë.

Kështu, në “Niko Dovana” të Durrësit, “Nëndetësja Blu” e Dinamo City ka regjistruar fitoren e parë, nën drejtimin e “të rikthyerit”, Ilir Daja, teksa ka mundur Skënderbeun me rezultatin e ngushtë, 2-1, me golat e fitores që erdhën nga Itodo e Zabërgja, ndërsa për miqtë golin e “nderit” e shënoi Rashica.

Totalisht e ndryshme ishte përballja e “Selman Stërmasit”, mes “Bardhebluve” të Tiranës dhe Elbasanit, me kohën e plotë që u mbyll në shifrat, 1-1, teksa fatet e sfidës u vendosën që në pjesën e parë, me golat, që u shënuan respektivisht për secilën skuadër, nga Edison Kola dhe Ze Gomes, në minutat 23’ e 25’.

Falë këtyre rezultateve, Elbasani ngjitet në vendin e tretë, me 8 pikë, Dinamo në vendin e pestë, me 7 pikë, ndërsa Tirana dhe Skënderbeu zënë vendet shtatë dhe nëntë, me nga 5 e 4 pikë. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!