Abibi: Tirana trampolina ime. Opsioni rikthim? Luan Lika deri 50 vjeç

schedule09:36 - 28 Prill, 2020

schedule 09:36 - 28 Prill, 2020

Alessio Abibi, portieri që vjet ishte pjesë e Tiranës, aktualisht aktivizohet në Serie C me Cavese. “Gardiani”, i cili ka qenë edhe pjesë e moshave të kombëtares shqiptare, rrjedh nga një familje ku ai nuk është i vetmi që mbron katërkëndëshin.

“E vërtetë që vij nga familje portierësh, por që i vogël kam qenë më i gjatë se të tjerët dhe dukej që do bëhesha portier”, tregon Abibi gjatë emisionit “Fan Zone” në Supersport. Kalimi te Tirana, kur bardheblutë ishin në Kategori të Parë, nuk ishte i lehtë për të dhe portieri e pranon që prindërit nuk kishin dëshirë ta bënte atë lëvizje.

“Prindërit nuk dëshironin. Unë jam rritur këtej dhe kisha mentalitet tjetër. Ishte shumë e vështirë për mua në Shqipëri, pasi nuk isha mësuar ashtu. Mua m’u dha mundësia të luaja shumë ndeshje me Tiranën. E doja si një vitrinë për të kaluar në Europë dhe besoj se e shfrytëzova, pasi m’u dha mundësia për në Itali”, u shpreh Abibi.

 

Portieri, i cili i zuri vendin për një moment Ilion Likës, u rikthye në stol në ndeshjet e fundit të kampionatit dhe sqaron se nuk kanë të bëjnë ato takime me largimin e tij nga Tirana. “Njerëzit mund të mendojnë se ndeshjet e fundit më detyruan të largohem. Kampionatet italiane janë shumë të veçanta dhe sapo mora vesh për interesimin kërkova largimin. Presidenti Halili më lejoi direkt”.

Edhe pse është larguar, Abibi e ndjek sërish Tiranën. Në fund ai flet edhe për të ardhmen.  “Kategorinë Superiore e kam ndjekur, jo shumë shpesh. Por jam munduar ta ndjek Tiranën. Deri vjet njerëzit kishin turp të tregonin se ishin tifozë të Tiranës, ndërsa tani ka ndryshuar gjithçka.

E ardhmja? Në janar isha një hap larg Serie B. Kam një opsion për të rinovuar me Avelinon, por të shohim. Mendoj se do jetë brenda Italisë. E mendoni një rikthim te Tirana? Një pyetje që më bëhet shpesh. Ilion Lika mund të luajë deri në 50 vjeç, ndaj për momentin, më e mira për mua do ishte të qëndroj në Itali”, përfundoi Abibi. /abcnews.al