Abdixhiku: Kurti ka zgjedhur të luftojë me aleatët ndërkombëtarë, kjo është e rrezikshme

schedule14:21 - 31 Maj, 2023

schedule 14:21 - 31 Maj, 2023

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e akuzoi sot kryeministrin Albin Kurti se po shkatërron aleancën me aleatët ndërkombëtarë dhe veçmas ShBA-në. Abdixhiku, në një konferencë për medie tha se situata në veri është një aventurë e rrezikshme e Kurtit.

“Sot Albin Kurti ka zgjedhur të luftojë me aleatët ndërkombëtarë, kjo është e rrezikshme dhe nuk e ndihmon Kosovën”, tha ai.

Abdixhiku tha se e kanë ftuar Kurtin në seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për të raportuar për këtë situatë. Ai kërkoi nga presidentja që të flasë dhe mos të heshtë për vendosjen e masave të ShBA-së ndaj Kosovës.

Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.

Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!