Abc/Story: Vrasësit me pagesë, fenomeni që po mbërrin në majë

schedule23:12 - 10 Prill, 2021

schedule 23:12 - 10 Prill, 2021

Mëngjesin e datës 25 shkurt 2021, Behar Sofia, një personazh i palexueshëm, i lakuar si trafikant narkotikësh, u vra në mes të Tiranës.

Afrimi i datës së zgjedhjeve parlamentare, ngarkesat biografike të së shkuarës dhe mënyra e ekzekutimit, të gjithë bashkë, formonin bindjen e një vrasjeje cilësore me pagesë. E në fakt, pak ditë më pas, dyshimet do të vërtetoheshin.

Vrasësi i arrestuar, Ernejt Shyti, në dëshminë paraprake për policinë, pohoi gjithçka, edhe shifrën e të hollave  që duhej të merrte, si shpërblim, pas përfundimit të punës.

 

Ngjarja i dëshmoi edhe njëherë shoqërisë shqiptare një të vërtetë të frikshme: vitet e fundit krimi i organizuar është duke përdorur, shpesh e më shpesh, vrasës me pagesë. Madje mund të thuhet se epoka e vrasjeve me pagesë tashmë gjendet në pikun e kurbaturës duke përbërë ndoshta fenomenin më të frikshëm të shkaktuar nga sofistikimi i krimit dhe dalja e tij jashtë kontrollit të strukturave të drejtësisë.

Po përse këto kohë të fundit kemi një shtim të rasteve të vrasjeve me pagesë?

Kjo pyetje ka vetëm një përgjigje: Vrasjet me pagesë janë vrasje të pastra dhe si të tilla preferohen nga krimi. Preferohen pasi është provuar se në shumicën e rasteve kanë mbetur pa autorë ose, në rastin më të keq, kur autorët janë zbuluar, kjo nuk i ka dëmtuar porositësit.

Për më tepër, vrasje të tilla, sidomos të kryera me anë të bombave me telekomandë, jo vetëm kanë arritur qëllimin, por edhe kanë dëmtuar vendngjarjet, duke lënë pak burime të dhënash për hetimin.

Por si kemi mbërritur deri këtu?

Përgjigjen tenton ta japë dokumentari më i ri i ciklit Abc/Story i gazetarit Ferdinand Dervishi në televizionin ABC.

/abcnews.al/