Emisioni Abc Story i gazetarit Ferdinand Devishi do të sjellë sot në mbrëmje (e shtunë, 18 maj, ora 22:15) për teleshikuesit pjesën e dytë të dokumentarit kushtuar mashtruesve më të zotë shqiptarë të të gjitha kohërave, përfshirë këtu edhe ata mashtrues të huaj, të cilët kanë ushtruar veprimtari në territorin e vendit tonë.
Në këtë seri të dytë vijnë të plota historia e një mashtruesi nga Kosova, i cili për disa muaj, në vitin 2004, bëri çorap Ministrinë e Rendit duke u hequr si agjent i CIA-s amerikane, historinë e Indrit Aliut, që në pak muaj, duke u hequr si përfaqësues i një fondi zhvillimi rural turko-amerikan, u përlau disa biznesmenëve shqiptarë rreth 4 milionë euro.
Historinë e stomatologes Olesia Duka, e cila në dy vjet mashtroi biznesmenë e qytetarë, duke përlarë 3 milion euro.
Si dhe historinë e plotë të Françesko Beketit (Francesco Becchetti), një sipërmarrësi italian, që në Shqipëri zbatoi një formulë të panjohur mashtrimi, e cila e bëri të pasur me dhjetëra miliona euro, pa kryer asnjë investim.
Në pjesën e parë të dokumentarit zunë vend historitë e Klejdi Kotes, që me anë të dokumenteve dhe gjyqeve false arriti të nxirrte nga banka një shumë marramendëse të hollash në vitin 2000, historinë e Mimoza Ujkës, një vajze analfabete, që bëri lëmsh Prokurorinë e Tiranës duke u hequr si oficere e policisë gjyqësore dhe që tashmë vijon të bëjë mashtruesen, me më tepër sukses, në Itali, historinë e Gazmend Males, mjekut popullor që hiqej sikur zotëronte biorryma me të cilat shëronte një varg sëmundjesh të rënda, i cili edhe ky vijon veprimtarinë në Austri, Gjermani apo Zvicër, historinë e papërsëristshme të avokates Natasha Shehu, që vodhi dëmshpërblimet e shtetit italian për shpirtrat e viktimave të Tragjedisë së Otrantos të vitit 1997 dhe që për të justifukuar të hollat shpiku një histori fantastike, sipas të cilës ajo ishte vajza ilegale e ish-kryeministrit të kohës së komunizmit, Mehmet Shehu etj./abcnews.al