“ABC” siguron kasetën, pamjet e masakrës së Reçakut, të mërkurën flet njeriu i dëshmive

schedule18:28 - 15 Janar, 2021

schedule 18:28 - 15 Janar, 2021

Çdo 15 janar kujtohet me lot dhe dhimbje nga shqiptarët e Kosovës, pasi në 1999 ndodhi masakra e Reçakut, e cila u organizua nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe para syve të ndërkombëtarëve.

Gazetarja e emisionit “Ballkan” në “ABC” Linda Karadaku ka siguruar kasetën e masakrës së Reçakut.

“ABC” ka vendosur që të transmetojë vetëm disa foto, pasi pamjet janë mjaft të rënda.

Ndërkohë që ditën e mërkurë në orën 20:00 në emisionin e radhës “Ballkan” në “ABC” do të ndiqni intervistën me Esat Shalën, një i ri nga Kosova i cili vijon mbledhjen e dëshmive, kasetave dhe provave të tjera për të dokumentuar për herë të dytë përpara ndërkombëtarëve krimet makabre të serbëve.

Mesazhet ishin të shumta ditën e sotme, që shënon 22 vjetorin e masakrës. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se beson se drejtësia do të vendoset një ditë. “Drejtësia ndonjëherë vonon, por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë” tha ai.

Masakra e Reçakut, ku u vranë 44 civil shqiptarë, sensibilizoi gjithë botën për gjendjen në Kosovën e vitit 1999 dhe solli fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s për të shpëtuar qytetarët e pafajshëm, viktima të sulmeve sistematike të regjimit të Millosheviçit” vijon më tej Hoti.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e cilësoi Reçakun si një dëshmi të paharrueshme të pafajësisë së Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe një amanet i pashlyeshëm jo vetëm për Kosovën e lirë demokratike, po edhe për ndërgjegjen e botës së qytetëruar./ db/Abcnews.al