Komisioni Europian ka publikuar raportin vjetor mbi politikat e zgjerimit të BE 2023 për Shqipërinë, i cili do të prezantohet nga Komisioni për Parlamentin Evropian, Këshillin, Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian dhe Komitetin e Rajoneve.
Në raportin e siguruar nga ABC News, vlerësohet se për sa i përket kritereve politike, veprimtaria parlamentare vazhdoi të ndikohej nga polarizimi politik, në sfondin e përçarjeve të thella të vazhdueshme brenda partisë më të madhe opozitare, ndërsa mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit mbeti e kufizuar.
Raporti vlerëson të rregullta zgjedhjet lokale më 14 maj 2023 ndërsa shton se ato u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë. “Vëzhguesit i vlerësuan ato si të mirëadministruara, konkurruese dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë politikë. Shqetësimet kanë të bëjnë me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, pretendimet për presion mbi punonjësit e sektorit publik dhe votuesit, dhe pretendimet për blerje votash,” citohet në raport.
Raporti vlerëson se Shqipëria mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e administratës publike. “ U bënë përpjekje të konsiderueshme për dixhitalizimin e shërbimeve publike, por mbetet thelbësore të sigurohet akses i barabartë në shërbime për qytetarët me aftësi të kufizuara dixhitale ose akses të kufizuar në pajisjet e TI. Kërkohet gjithashtu një vëmendje e shtuar për sigurinë dixhitale dhe mbrojtjen e të dhënave personale, veçanërisht pas sulmeve kibernetike në vitin 2022 dhe një sërë rrjedhjesh të të dhënave,” thuhet më tej në raport.
Sa i përket sistemit të drejtësisë, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka një nivel të moderuar përgatitjeje për funksionimin e gjyqësorit. “Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdoi, duke rezultuar në një progres të mirë në përgjithësi. Emërimet në Gjykatën Kushtetuese kanë përfunduar me të nëntë gjyqtarët tashmë në detyrë, nga të cilët tetë me mandat të plotë njëvjeçar,” citohet në raport.
“Struktura e Specializuar kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) arriti rezultate të mëtejshme dhe në dhjetor 2022 u zgjodh kryeprokurori i ri i posaçëm pas një procesi të shëndoshë.”, vëren raporti ndërsa thekson se efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe qasja në drejtësi vazhdoi të ndikohet nga afati i gjatë i procedurave, ngarkesa e shtuar e punës dhe numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, i cili mbetet veçanërisht i lartë në gjykatat e apelit dhe të shkallës së parë.
Më tej, Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria ka një nivel përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit, por thekson raporti, pavarësisht disa përparimeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme në luftën kundër korrupsionit, ai mbetet një fushë me shqetësim serioz.
“Organet e SPAK kanë kryer hetime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë, duke urdhëruar disa arrestime dhe dënime për një sërë çështjesh të nivelit të lartë.” citohet ne raport. KE konstaton se rekomandimet e vitit 2022 janë zbatuar vetëm pjesërisht, kështu që ato mbeten të vlefshme: të forcojë hetimin, ndjekjen penale, gjykimin dhe dënimin përfundimtar të rasteve të korrupsionit, veçanërisht në nivel të lartë, dhe të rrisë sekuestrimin dhe konfiskimin ose rikuperimin e aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat e lidhura me korrupsionin:
-të forcojë më tej kapacitetet e SPAK, për të pasqyruar plotësisht nevojat e saj operacionale, duke përfshirë rritjen e burimeve njerëzore, sigurimin e pajisjeve të specializuara dhe miratimin e një strategjie që i jep përparësi rasteve si një mënyrë për të trajtuar numrin e rasteve të mbetura në rritje vazhdimisht:
– të miratojë një strategji të re kundër korrupsionit për të frenuar në mënyrë efektive korrupsionin, duke përfshirë plane veprimi dhe tregues të dedikuar për sektorët më të cenueshëm ndaj korrupsionit, dhe të adresojë në mënyrë efektive rekomandimet e Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit të Këshillit të Evropës (GRECO).
Në fushën e të drejtave themelore, KE kërkon që përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen. Raporti vlerëson se për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues nuk ka avancuar. “Për më tepër, Shqipëria duhet të vendosë garanci të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të dhënave personale.”
Lidhur me lirinë e medias, raporti vlerëson se Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar, ku theksohet se është bërë përparim i kufizuar.
KE vlerëson se, pas Konferencës së parë Ndërqeveritare që hapi negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë në korrik 2022, qeveria ka rinovuar angazhimin e saj të përgjithshëm politik në rrugën e vendit në BE. “Institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit, i cili po ecën pa probleme, dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshëm në negociatat e anëtarësimit,” thuhet më tej raport.
“Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me të gjitha agjencitë e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme të BE-së.”
Shqipëria është vend kandidat i Bashkimit Europian që nga viti 2014. Në 2018 Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave pa kushte me Shqipërinë. Në Mars 2020 Këshilli Europian miratoi vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë./abcnews.al